Kosova dhe Serbia diskutojnë marrëveshjet e deritanishme më 16 nëntor në Bruksel

by admin
Spread the love

Ekipet negociuese të Kosovës dhe Serbisë takohen të martën (16.11) në Bruksel për të vazhduar dialogun, ndonëse qysh tani ka kundërthënie ndërmjet Kosovës dhe Serbisë se për çfarë saktësisht negociohet këtë herë.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë, se në raundin e ri të takimeve të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe çështjet çështjet e hapura e rrugën përpara në dialog.

Nga zyra e kryeministrit të Kosovës thonë se, “temat e diskutimit në takimin bilateral do të jenë çështja e të zhdukurve, e energjisë dhe lëvizja e lirë”, ndërkaq “data për takimin e mundshëm për dialogun në nivel politik ndërmjet liderëve varet nga rrjedha e procesit dhe dakordimi për çështjet në nivel kryenegociatorësh”.

Në anën tjetër nga zyra e qeverisë së Serbisë për Kosovën, thonë se në takimin e datës 16.11. ekipi serb kryesohet nga drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviq, dhe se në takim tema kryesore do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Autoritetet e Prishtinës janë kategorike kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ashtu siç e kërkon Beogradi zyrtar “Asociacion me kompetenca ekzekutive”, duke iu referuar marrëveshjes parimore të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha para disa ditësh në një intervistë për DW-së, se “Kushtetuta e Kosovës nuk lejon Asociacion mbi baza etnike” dhe se marrëveshjen e vitit 2013, sipas tij, deputetët e Kosovës e kanë miratuar në një trysni të jashtëzakonshme ku ka munguar transparenca.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga dhjetori i vitit 2015 Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e ka shfaqur në dritën e së vërtetës, që është i paintegrueshëm në sistemin tonë juridik dhe kushtetues. Ajo nuk e ka trajtuar marrëveshjen e vitit 2013, mirëpo goditja që ia ka bërë përmbajtjes në vitin 2015 kur marrëveshja e 2013 u zbërthye në konkretësinë e saj, në detajet e saj dhe në shpirtin e saj praktikisht e ka goditur edhe marrëveshjen e 2013-ës. Me fjalë të  tjera ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese nuk ka thënë që vetëm gërma e Asociacionit është problematike, por ka konstatuar që 23 nene të kushtetutës po shkelen me të dhe secili nga shtatë kapitujt e Asociacionit nuk janë në përputhje me kushtetutën, por në të njëjtën kohë ka goditur edhe frymën e këtij Asociacioni. Nuk mund të ketë me Kushtetutën e Kosovës asociacion mbi  baza etnike”, tha kryeministri Kurti për DW.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, tha një ditë më parë në Beograd, se “Kosova duhet ta formojë Asociacionin ashtu siç është negociuar në Bruksel”, ose në të kundërtën, siç u shpreh, “faleminderit, ju punën tuaj, ne punën tonë, ndoshta takohemi një ditë”.

Sidoqoftë, Brukseli zyrtar që ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi por edhe SHBA-ja, vazhdimisht kërkojnë nga palët që të ulen në një tavolinë në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje finale gjithpërfshirëse ku adresohen të gjitha çështjet./DW

You may also like