Kopshtet e fëmijëve në Ukrainë kthehen në qendra refugjatësh

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Në rajonin e Zaporizhia të Ukrainës, shumë kopshte të fëmijëve janë kthyer në qendra refugjatësh, që mirëpresin ukrainasit nga zonat më pak të sigurta të vendit.

Të zhvendosurit me të cilët bisedoi korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katerina Markova tregojnë për tmerrin e përjetuar në zonat, që tashmë janë pushtuar nga forcat ruse.

Shumë banorë të qyteteve të pushtuara në Ukrainën jugore, si Mariupol, Kherson dhe Berdyansk arrijnë në Zaporizhzhia dhe kalojnë natën e parë në këtë ish kopsht fëmijësh.

Kopshti quhet “Veselka”, që nga gjuha ukrainase përkthehet në Kopshti i Fëmijëve Ylber. Ata mbërrijnë me autobusë, rreth 100 persona në të njëjtën kohë. Këtu iu jepet ushqim dhe një vend të rehatshëm për të qëndruar. Drejtoresha e kopshtit Natalia Kuzmenko është shpesh e pranishme për t’i përshëndetur.

“Ne mendojmë se ka kaq shumë që duhet të bëjmë për këta njerëz për t’i bërë ata të ndihen të mirëpritur. Ne sigurohemi që të gjithë të kenë ushqim ose një kafe dhe më pas nisen për në Lviv dhe prej andej dalin në Poloni, ose kudo që të shkojnë”, thotë zonja Kuzmenko.

Natalia është një nga ata që po qëndrojnë te ky kopsht dhe ndau me Zërin e Amerikës histori tmerri nga lufta.

“Është shumë e vështirë: kalova dy muaj në ferr; nuk kishte energji elektrike dhe gaz, kishte pak ujë dhe javën e kaluar, gjithçka u zhduk”, u shpreh zonja Natalia.
Refugjatë të tjerë thanë se trupat ruse u futën në qytetin e tyre dhe e bënë të pamundur qëndrimin.

“Në një prej rasteve ata u dehën dhe filluan të ziheshin, duke qëlluar mbi njëri-tjetrin! Unë kam tre fëmijë, por unë nuk kam parë kurrë diçka të tillë! Më pas njëri më thoshte: “Ne erdhëm për t’ju mbrojtur”. Dhe unë ia ktheva: “Nga kush? Nga kush erdhe të më mbrosh?’, thotë zonja Mykolaivna.

Personat e zhvendosur qëndrojnë vetëm një natë përpara se të vazhdojnë më tej rrugën, por ata ndjejnë lehtësim të madh gjatë qëndrimi të tyre të shkurtër.

“Nuk prisnim një pritje kaq të ngrohtë nga njerëzit, as nuk prisnim ndihmë”, thotë një refugjate, që tashmë është rrugës për në një vend tjetër. Personeli dhe vullnetarët, megjithatë në raste të caktuara ndihen të mbingarkuar.

“Shpesh qajmë. Kur kthehesh në shtëpi, iu tregon anëtarëve të familjes për historitë që dëgjon. Është e tmerrshme. Askush këtu nuk e di as gjysmën e asaj që po ndodh në zonat e luftës! Bëhet fjalë për torturim të njerëzve! Të paktën këtu, te ne, refugjatët ndjejnë sado pak ngrohtësi dhe kujdes…” thotë zonja Kuzmenko.

Deri më tani, kjo qendër ka ndihmuar më shumë se 2 mijë njerëz që kërkojnë siguri dhe stabilitet, ndërsa Rusia vazhdon luftën kundër Ukrainës./VOA


Top Channel

You may also like