KOPENHAGË – Finlanda dhe Suedia shqyrtojnë rreziqet dhe përfitimet e anëtarësimit në NATO

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

KOPENHAGË, 13 prill /ATSH-DPA/ Kryeministrja finlandeze Sanna Marin zhvilloi sot një takim me homologen e saj suedeze Magdalena Andersson, në Stokholm.

Marin tha se ishte në pritje të një vendimi për anëtarësimin e vendit të saj në NATO.

“Është me rëndësi të arrihet një konsensus sa më i gjerë për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme”,tha ajo. Marin theksoi se situata e sigurisë në Evropë ka ndryshuar në mënyrë drastike pas pushtimit rus të Ukrainës.

Qeveria e saj ka planifikuar të paraqesë sot një analizë të re sigurie të pasojave të anëtarësimit të Finlandës në NATO. “Dallimi mes të qenit partner dhe të qenit anëtar është shumë i qartë dhe i tillë do të mbetet”, tha Marin.

Ajo shtoi se nuk ka rrugë tjetër për të pasur garancitë e sigurisë të ofruara nga neni 5 i NATO-s, në të cilin anëtarët e NATO-s zotohen për mbështetjen e tyre reciproke në rast të një sulmi.

Megjithatë, Marin theksoi se aplikimi për anëtarësim dhe refuzimi për ta bërë këtë paraqesin rreziqe.

Deri më tani, Marin nuk e ka shpallur publikisht qëndrimin e saj për çështjen e anëtarësimit të vendit të saj në NATO.

Analiza e sigurisë pritet të formojë një bazë për një debat parlamentar duke renditur përfitimet dhe disavantazhet e një anëtarësimi në NATO.

Rusia ka paralajmëruar vazhdimisht Finlandën dhe Suedinë për rreziqet e anëtarësimit në NATO.

Andersson tha se partneriteti midis Suedisë dhe Finlandës është rritur më shumë javët e fundit, pasi rrethanat e ndryshuara kërkojnë bashkëpunim më të ngushtë mes këtyre dy vendeve dhe BE-së.//a.i/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like