Konsulli i shkarkuar i shkruan Gërvallës: Ju mbyllët të gjitha shërbimet konsullore në New York

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Lulzim Krasniqit, konsull i deritashëm i Kosovës në New York, i është ndërprerë në mënyrë arbitrare kontrata e punës nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJD), që udhëhiqet nga Donika Gërvalla.

Krasniqi nëpërmes një emaili drejtuar ministres, Donika Gërvalla, ka shprehur shqetësimin se me vendimin për shkarkimin e tij sapo ka mbyllur të gjitha shërbimet konsullore në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York për shtetasit e Republikës së Kosovës.

“Me këtë vendim arbitrar dhe pa paralajmërim, Republika e Kosovës do të ketë edhe implikime financiare. Unë kam lidhur kontratë njëvjeçare me menaxhmentin e ndërtesës ku jetoj me qira, në nëntor të vitit të kaluar, gjithnjë me aprovimin e Sekretarit të Përgjithshëm, për çka Republika e Kosovës e ka për obligim ta respektojë këtë kontratë-të paguajë qiranë deri atëherë në një banesë ku nuk jeton asnjeri. Në të kundërtën, mosrespektimi i saj është i dënueshëm sipas ligjeve të SHBA-së”, thuhet në email.

E-maili i plotë:

E nderuar znj. Gërvalla,

Sot pranova një e-mail nga Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i MPJD-së, z. Behar Isma, përmes së cilit më është bërë e ditur se marrëdhënia ime e punës me MPJD-në ka mbaruar më 30 qershor 2022.

Faleminderit për sqarimin, edhe pse do të ishte mirë sikur këtë të ma kishit bërë të ditur ditën kur e pranova vendimin (më 30 qershor), meqë obligimet e shumta që kam këtu, nuk përmbyllen kaq thjesht, siç mendoni ju.

Vendimi juaj është i paprecedent përgjatë funksionimit të deritashëm të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës. Mbi të gjitha është kundërligjor!

Me këtë vendim, ju sapo mbyllët të gjitha shërbimet konsullore në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork për shtetasit e Republikës së Kosovës-këto ditë kur kërkesat e tyre për shërbime arrijnë kulmin. Rrjedhimisht, meqë kam qenë i vetmi person i autorizuar për ofrimin e shërbimeve, me këtë vendim, duke filluar prej sot, u mbyllën të gjitha llogaritë për përdorimin e aplikimit të dokumenteve të udhëtimit. Bashkë me këto llogari, fatkeqësisht, u mbyll çdo shërbim konsullor. Përgjegjësinë për këtë tashmë e keni ju!

Me këtë vendim arbitrar dhe pa paralajmërim, Republika e Kosovës do të ketë edhe implikime financiare. Unë kam lidhur kontratë njëvjeçare me menaxhmentin e ndërtesës ku jetoj me qira, në nëntor të vitit të kaluar, gjithnjë me aprovimin e Sekretarit të Përgjithshëm, për çka Republika e Kosovës e ka për obligim ta respektojë këtë kontratë-të paguajë qiranë deri atëherë në një banesë ku nuk jeton asnjeri. Në të kundërtën, mosrespektimi i saj është i dënueshëm sipas ligjeve të SHBA-së.

Vendimi arbitrar për kthim të menjëhershëm shkel të gjitha të drejtat e një diplomati dhe e vërteton qasjen tuaj në përndjekjen e diplomatëve, të cilët kanë ndihmuar në forcimin e shtetit të Kosovës.

Kam qenë diplomati i vetëm në MPJD dhe në Shërbimin Diplomatik që zotëron nivelin më të lartë të spanjishtes (C2) dhe i cili ka njohuri dhe lidhje me Amerikën Latine dhe Spanjën.

Gjatë kësaj periudhe, si diplomat i karrierës, të gjitha autoriteteve të larta të Republikës së Kosovës dhe kushdo të ketë qenë President, Kryeministër ose Ministër i Jashtëm u kam ndihmuar në thellimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve me këto vende, posaçërisht në realizimin e një sërë intervistash me gazetat më prestigjioze të Spanjës.

Vendimi juaj për heqjen time nga Shërbimi i Jashtëm bazohet në urrejtje dhe në paranoja.

Me të njëjtën urrejtje, gjatë vizitës suaj në Nju-Jork, në prill të këtij viti, ju keni urdhëruar largimin e flamurit të UÇK-së nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju-Jork. Pavarësisht kësaj, atë flamur të shenjtë e kam vendosur në zyrën time gjatë gjithë kohës.

Me largimin tim, ju mund ta largoni atë edhe nga zyra ime, por krenarinë dhe luftën e UÇK-së nuk do të mund ta largoni asnjëherë nga institucionet e Kosovës, meqë UÇK-ja është vetë themeli i këtyre institucioneve.

E, largimi i flamurit të UÇK-së, të cilin, ti, zonja Gërvalla, atë ditë prilli nuk ta zinte goja ta quaje flamur i UÇK-së, por e quaje “flamur me simbole”, është një turp i madh dhe ka për qëllim rrënimin e institucioneve, të cilën gjë me sukses ke arritur ta bësh në MPJD.

Në emër të këtij flamuri janë flijuar shumë dëshmorë, ndër ta edhe vëllezërit Bytyqi nga SHBA-ja, të cilët, bashkë me shumë luftëtarë të Batalionit Atlantiku, kanë lënë mirëqenien që u ofronte ky vend dhe kanë shkuar në Kosovë për ta çliruar atë nga shtypja, diskriminimi dhe gjenocidi që regjimi serb po i ushtronte ndaj nesh.

Largimi i këtij flamuri është fyerje e tre varreve të vëllezërve Bytyqi në Jonkers të Nju-Jorkjut dhe përbuzje për luftëtarët e Batalionit Atlantiku, njëjtë siç është fyerje për të gjithë luftëtarët dhe dëshmorët e vendit.

Unë, sigurisht jam i zëvendësueshëm me njerëz të tjerë të rinj dhe entuziastë, porse flamurin e UÇK-së nuk mund ta zëvendësojë askush.

Me këtë rast, kundër vendimit tuaj arbitrar e tendencioz do të ankohem në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, derisa betejën legale e ke të humbur, aty ose në gjykatë, i cili institucion, bashkë me institucionet tjera të vendit, janë krijuar me mund e me sakrificë.

Personalisht, jam krenar për punën që kam bërë në SHBA, më herët edhe në Panama dhe në MPJD, dhe jam i lumtur që kam krijuar raporte të shkëlqyeshme me komunitetin tonë këtu, i cili nuk njeh urrejtje ndaj njëri-tjetrit e as ndarje partiake, por i cili ka qenë dhe është i përbashkuar, gjithnjë në interes të Kosovës.

Me respekt,
Lulzim Osman Krasniqi
Counsellor
Consulate General of the Republic of Kosovo in New York
801 Second Avenue

You may also like