Konstatohen parregullsi në autostradën “Struma”, rasti “Besa Trans” futet edhe në gjykatat e Sofjes

by admin
Spread the love




Parregullsi në autostradën “Struma” – ka konstatuar ekspertiza e re, e cila do të dorëzohet sot në gjykatën në Pernik të Bullgarisë. Kujtojmë se në nëntor të vitit 2021, 46 shtetas të Maqedonisë së Veriut humbën jetën në aksident autobusi, shkruan BTV.

Autobusi mori flakë pasi është përplasur me bankinën mbrojtës kurse disa nga familjarët e viktimave kanë paraqitur kërkesa deri tek autoritetet bullgare, pikërisht për këtë lëndë është caktuar ekspertizë e re.

“Nga inspektimi u konstatuan dy lloje defektesh që ekzistojnë në këtë pjesë. Me ekspertizën e kryer në 3 km janë konstatuar shkelje infrastrukturore para vendit të aksidentit. Së pari, Agjencia e Infrastrukturës Rrugore (AIR) të Bullgarisë lejoi që shkelje të tilla të ekzistojnë tashmë me ndërtimin e rrugës. Së dyti, ka lejuar që të rrezikohen elemente të caktuara të infrastrukturës, e cila është në lidhje të drejtpërdrejtë me shkaqet e incidentit”, tha avokati i disa viktimave, Nikollai Dimitrov, në një intervistë për BTV.

Ai shpjegoi se të ashtuquajturit “sytë e maces” ngjitur me bankinën mbrojtëse në 3 km, pjesa para aksidentit ose nuk i ka ose ka gjashtë herë më pak reflektim të dritës. Dimitrov gjithashtu theksoi se në pjesën e aksidentit mungojnë shenjat e komunikacionit.

“Nuk e mohojmë, fajin e ka edhe shoferi, por nuk ka pasur orientim se ku ka qenë rruga. Derisa dikush të shkojë në burg, kjo nuk do të ndalet”, shtoi avokati.

Ai tha se do të kërkojnë gjykim të përbashkët të Agjencisë për Infrastrukturë Rruore dhe përfaqësuesit të siguruesit të Maqedonisë për Bullgari. Kërkesat do të depozitohen në Gjykatën e qytetit të Sofjes nga familjarët e viktimave nga aksidenti.


You may also like