Konferenca e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, Presidenti Biden mbërrin në Egjipt

by admin
Spread the love

Presidenti Joe Biden mbërriti sot në Egjipt, ku do të marrë pjesë në punimet e Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike.

Në fjalimin që do të mbajë në këtë konferencë, ai do të shpjegojë se si Shtetet e Bashkuara janë duke e trajtuar krizën klimatike brenda dhe jashtë vendit. Por aktivistët e mjedisit thonë se vendet e pasura duhet të përqendrohen në përmbushjen e premtimit të tyre prej 100 miliardë dollarësh në vit për të kompensuar humbjet dhe dëmet nga ndryshimet klimatike.

Presidenti Joe Biden në takimin historik të Kombeve të Bashkuara për klimën do të diskutojë një numër çështjesh, thonë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.

“Ai do të flasë mbi angazhimin e tij personal për trajtimin e krizës klimatike. Ai do të nxjerrë në pah disa nga përparimet që kanë bërë Shtetet e Bashkuara, si këtu në vend ashtu edhe në mobilizimin e të tjerëve për çështjen e klimës në mbarë botën. Ai do të theksojë nevojën për të ecur më tej, më shpejt për të ndihmuar komunitetet më të pambrojtura në botë, dhe veçanërisht, për nxitur ekonomitë kryesore të botës që të ulin në mënyrë drastike nivelin e çlirimit të gazeve në këtë dekadë vendimtare”, thotë Jake Sullivan, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare.

Por në një vit kur përmbytjet, valët e të nxehtit dhe moti ekstrem kanë shkaktuar dëme të rënda, aktivistët mjedisorë duan të shohin diçka tjetër. Në vitin 2015, 196 palë nënshkruan Marrëveshjen e Parisit, një traktat ligjërisht i detyrueshëm që, ndër të tjera, parashikonte që vendet e pasura të ofrojnë 100 miliardë dollarë në vit për të ndihmuar vendet në zhvillim të përballen me humbjet dhe dëmet nga ndryshimet klimatike. Por, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, e cila ka monitoruar këtë çështje thotë se ky objektiv ende nuk është arritur.

“Do të ketë një vëmendje të madhe për humbjet dhe dëmet në veçanti, të cilat kanë qenë pjesë e diskutimeve për një kohë të gjatë”, thotë Angela Churie Kallhauge nga Fondi i Mbrojtjes së Mjedisit.

Disa delegatë, si ministri i jashtëm i Pakistanit kanë dalë me propozime të reja për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Përmbytjet vdekjeprurëse kanë shkaktuar dëme të rënda në këtë vend në fillim të këtij viti.

“Një zgjidhje për këtë mund të jetë falja e borxheve të vendeve në zhvillim nga vendet e zhvilluara, në mënyrë që fondet e parashikuara për pagimin e borxheve të mund të përdoren për rindërtimin e zonave të dëmtuara, tranzicionin tonë energjetik, dhe marrjen e masave për të parandaluar dëmet nga ndryshimi i klimës në të ardhmen. Pra, vendet e zhvilluara, pa patur nevojë të transferojnë para, do të jenë në gjendje të thonë se po përmbushin angazhimet e tyre në këtë front”, thotë Bilawal Bhutto Zardari, Ministër i Jashtëm i Pakistanit.

Në vend të kësaj, zyrtarët amerikanë po përqëndrohen në reklamimin e efekteve ekonomike të Ligjit të Reduktimit të Inflacionit, të miratuar së fundmi, i cili parashikon investimin e rreth 375 miliardë dollarëve gjatë 10 viteve të ardhshme për të luftuar ndryshimet klimatike.

“Vetë ligji e trajton këtë çështje nga pikëpamja ekonomike. Varet se si i shihni burimet që keni në dispozicion, si mund të përdoren ato për të trajtuar çështjen e ndryshimit të klimës, por edhe si mund të sjellin përfitime të jashtëzakonshme ekonomike. Kjo mund të zbatohet si në vendet në zhvillim, ashtu edhe në vendet e zhvilluar të botës”, thotë Gina McCarthy, ish-këshilltare amerikane për klimën.

Nuk është e qartë se si do të pritet ky mesazh. Të mërkurën, i dërguari i amerikan për klimën, John Kerry, u kritikua në konferencë, ndërsa ai foli me delegatët për një plan për të financuar tranzicionin e energjisë së pastër në vendet e varfra nëpërmjet financimit privat, jo publik.

Pas Konferencës së OKB-së për Klimën në Sharm el Sheikh, Presidenti Biden do të shkojë në Azinë Lindore për të marrë pjesë në dy takime të tjera ndërkombëtare.


Top Channel

Lexo lajme interesante

You may also like