Komentet e propozuara nga KOK-u për draft rregulloren e kategorizimit të sporteve

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës ka përpiluar me kohë komentet e kërkuara nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport për draft rregulloren e kategorizimit të sporteve dhe draft rregulloren e kategorizimit të sportistëve dhe trajnerëve.

Pas thirrjes për konsultime publike të mbajtur dje nga MKRS, KOK ka dërguar edhe komentet, të cilat beson se do të merren parasysh nga komisioni në fjalë.

Draft rregullorja e kategorizimit të sportit

Draft rregullorja e kategorizimit të sportistëve

Rregullorja e tanishme e kategorizimit të sporteve

Rregullorja e tanishme e kategorizimit të sportistëve dhe trajnerëve

Më poshtë gjeni propozimet e KOK-ut:

Propozimet për draft rregulloren e kategorizimit të sporteve

NENI 4 – Kategorizimi i sporteve

Pika 2 – Në bazë të pikëve të fituara, sportet kategorizohen në katër (4) grupe, si në vijim:

2.1.  GRUPI “A” përfshin federatat sportive të cilat kanë grumbulluar 85 pikë e më tepër;

2.2.  GRUPI “B” përfshin federatat sportive të cilat kanë grumbulluar 75 – 84 pikë;

2.3.   GRUPI “C” përfshin federatat sportive të cilat kanë grumbulluar 65 – 74 pikë;

2.4.   GRUPI “D” përfshin federatat sportive të cilat kanë grumbulluar deri në 64 pikë.

Propozim – Të mbesin kategoritë e njëjta sipas rregullores momentale te kategorizimit të sportit.

Grupi A – prej 70 e më tepër

Grupi B – prej 50 deri në 69.99 pikë

Grupi C – prej 30 deri në 49.99 pikë

Grupi D – deri në 29.99 pikë

Arsyetim – Duke testuar në bazë të propozimit të draft rregullores së re dhe vlerësimit të bërë për tri federata, të cilat kanë qenë në grupe të ndryshme, shihet se me draftin e ri të propozuar, të gjitha mbesin në kategorinë e fundit (D). Konsiderojmë që ndarja e viteve të kaluara të grupeve, ka qenë më relevante dhe pasqyrë më e mirë e gjendjes reale të federatave sportive.

NENI 7 – Rezultatet e arritura në garat ndërkombëtare për federatat e sporteve individuale

Pika 1 – Federatat sportive anëtare të federatave ndërkombëtare që janë të njohura nga KON-i dhe që janë në programin e Lojërave Olimpike mund të vlerësohen deri në 30 pikë të mundshme për sukseset, cilësinë e treguar dhe rezultatet e arritura në garat ndërkombëtare.

Propozim – Të hiqet maksimumi i pikëve 30 dhe të vlerësohet më shumë se sa një rezultat.

–  Të vlerësohen tri rezultatet më të mira të një federate sipas pikëve më poshtë:

Rezultati më i mirë të vlerësohet 100 % të pikëve

Rezultati i dytë më i mirë të vlerësohet me 50 % të pikëve

Rezultati i tretë më i mirë të vlerësohet me 25 % të pikëve.

Pika 12. Një federate sportive i takojnë 10 pikë nëse ndonjë nga sportistët e saj merr pjesë në lojëra olimpike me normë olimpike.

Propozim: Të sqarohet kohëzgjatja e vlefshmërisë së normës olimpike, ashtu siç sqarohet tek neni 13.

Ndryshimi të bëhet si në vijim:

Vlefshmëria e normës olimpike përfituar nga sportisti – 4 vjet;

Vlefshmëria e ftesës nga Univerzaliteti nga sportisti – 1 vjet;

Pika 13. Një federate sportive i takojnë 3 pikë nëse ndonjë nga sportistët e saj merr pjesë në lojëra olimpike me ftesë të komisionit trepalësh të KON-it, dhe vlefshmëria e rezultatit vlen vetëm për një vit pas Lojërave Olimpike.

Propozim: Të shtohet edhe fjalia në fund “apo ftesë të univerzalitetit”.

Arsyetim: Në Lojërat Olimpike, krahas ftesës së Komisionit Tre-Palësh KON, ASOIF dhe Federatës Ndërkombëtare, është edhe ftesa e univerzalitetit që iu dërgohet zakonisht shteteve të vogla, siç është rasti i Kosovës.

Pika 14: Vlefshmëria e rezultatit të arritur vlen sipas ciklit të garave përkatëse.

Propozim: Propozojmë që ky nen të ndryshohet si në vijim:

Vlefshmëria e Kampionatit Botëror të jetë 4 vjet;

Vlefshmëria e Kampionatit Evropian të jetë 4 vjet;

Arsyetim: Sportistët që janë kandidatë olimpikë, majën e formës fizike për një makrocikël olimpik e kanë në përfundim të makrociklit, apo pikërisht në fillim të rrugëtimit për Lojërave Olimpike. Nëse një sportist përfiton një medalje botërore apo evropiane në fillim të makrociklit, ai/ajo e ulë natyrisht performancën në mezocikël duke e bazuar përgatitjen me qëllim që superkompenizimi të arrihet në përfundim të makrociklit, proces i cili natyrisht sakrifikon rezultate në mezocikël. Për këtë arsye një sportist nuk mund të penalizohet gjatë rrugëtimit të arritjes së superkompenzimit dhe peak-ut të formës, por të stimulohet me kohëzgjatje të rezultatit për një periudhë 4 vjeçare, aq sa është edhe makrocikli olimpik.

Ju lutem të bëhen hulumtime në shtetet e tjera e sidomos ato të rajonit, ku të gjitha këto shtetet aplikojnë këtë metodë stimulimi për sportistët të cilët arrijnë rezultate në KE apo KB. Mbi të gjitha rrugëtimi i gjendjes fizike të sportistit sipas formës përshkruar më lartë është shkencëtarisht i vërtetuar.

Po ashtu, një Federatë mund të përfitojë më shumë nga një medalje e fituar në Lojërat Mesdhetare, ku federata do të përfitonte për 4 vjet, se sa një medalje e njëjtë e fituar në Kampionatin Botëror, ku federata do të përfitonte vetëm për një vit!

Pika 15.1 – Kampionati botëror – 60 shtete, 24 garues në kategori. Përjashtim nga ky nen bëjnë vetëm sportet sportistët e të cilave i nënshtrohen procesit kualifikues;

Propozim – Për sporte joolimpike të zvogëlohet numri i shteteve pjesëmarrëse nga 60 në 50 dhe numri i garuesve në kategori nga 24 në 18. Për sportet olimpike nuk duhet të ketë kriter apo kufizim, por rezultati në Evropian apo Botëror të vlerësohet automatikisht.

NENI 7 – Rezultatet e arritura në garat ndërkombëtare për federatat e sporteve individuale

Pika 17 – Të gjitha federatave përkatëse u llogaritet vetëm rezultati më i mirë i arritur nga sportistët në kategorinë e seniorëve.

Propozim – Rezultati të vlejë edhe për kategoritë e reja, duke nisur prej U-18 e më lart U-23, por që vlerësimi i pikëve të ketë dallim me kategorinë e seniorëve.

NENI 8 – Rezultatet e arritura në garat ndërkombëtare për federatat e sportive kolektive

Pika 1: Federatat sportive anëtare të federatave ndërkombëtare që janë të njohura nga KON-i dhe që janë në programin e lojërave olimpike mund të vlerësohen deri në 16 pikë të mundshme për sukseset, cilësinë e treguar dhe rezultatet e arritura në garat ndërkombëtare.

Propozim – Të rritet numri i pikëve të mundshme nga 16 sa është për pikët maksimale, në 30 pikë maksimale dhe renditja të bëhet prej 30 pikë e më poshtë. Pra të rritet për të gjitha garat ndërkombëtare dhe vlera e pikëve të jetë më e madhe se sa e sporteve individuale.

Arsyetim – Dallimi i pikëve që fiton një sport individual me sportin kolektiv është tejet i madh, ndërsa mundësitë për të arritur deri tek suksesi në Lojërat Olimpike apo Kampionatet Botërore dhe Evropiane ndërmjet sporteve individuale dhe ekipore është tejet i madh.

Pika 11. Një federate sportive i takojnë 10 pikë, nëse ekipi ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike me normë olimpike.

Propozim: Të rritet numri i pikëve nga 10 në 20 për sportet ekipore për fitimin e normës olimpike.

Pika 12. Nëse ekipi i sportit përkatës kualifikohet në kampionat botëror apo evropian sporti përkatës vlerësohet me 10 pikë.

Propozim: Të rritet numri i pikëve nga 10 në 20 për kualifikim në kampionatin botëror dhe në 15 pikë për kualifikim në evropian.

Pika 15: Për të gjitha sportet përkatëse vlen vetëm rezultati më i mirë i arritur nga ekipi në kategorinë e seniorëve.

Propozim: Rezultati (për sportet kolektive) të vlejë edhe për kategoritë e reja, duke nisur prej U-18 e më lart U-23, por që vlerësimi i pikëve të ketë dallim me kategorinë e seniorëve.

Arsyetim:

Futbolli në Lojërat Olimpike merr pjesë vetëm me U-23.

Të vlerësohet edhe suksesi i kategorive të reja nëse arrijnë të kualifikohen si në Lojërat Olimpike, ashtu edhe në Kampionatet Botërore dhe Evropiane, vetëm nëse kanë kaluar në procese të kualifikimit.

Edhe në kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve, vlerësohen rezultatet e  grupmoshave si më lartë.

Shembull: Hendbolli ka marrë pjesë në Kampionatin Botëror U-21, dhe sipas rregullores federata nuk vlerësohet fare me pikë.

NENI 9: Kriteri i masovitetit për federatat e sporteve individuale

Pika 2.4.2: Limiti maksimal i pikëve vlerësuese varësisht numrit të sportistëve të deklaruar nga federata përkatëse është 12 pikë

Propozim – Të mos limitohet numri i sportistëve në 12 pikë, pasi është jo korrekte të krahasohet një federatë e sportit individual që ka mbi 1000 sportistë me një federatë që ka në këtë rast 400 sportistë.

Pika 2.4.3: Limiti minimal i pikëve vlerësuese varësisht numrit të sportistëve të deklarua nga federata përkatëse është 3 pikë.

Propozim: Limiti minimal i pikëve të jetë nga tre në 1.5 pikë (apo 50 sportistë).

Arsyetim: Bazuar në përvojat e vlerësimit të mëhershëm të kategorizimit, një pjesë e federatave sportive, nuk e kalojnë numrin prej 50 sportistëve.

NENI 10 – Kriteri i masovitetit për federatat e sporteve kolektive

Pika 2.1: Vlera e koeficientit për klub sportiv të sporteve ekipore është 0.2 pikë;

Propozim: Vlera e koeficientit të mos jetë më e vogël se sa e sporteve individuale, pasi në këtë rast, i bie që sportet ekipore, përkundër që kanë klube shumë më shumë se sportet individuale, të marrin pikë njësoj ose më pak se sa individualet. Pra të rritet vlera e koeficientit dhe të mos kushtëzohet me 12 pikë.

Pika 2.4.2: Limiti maksimal i pikëve vlerësuese varësisht numrit të sportistëve të deklaruar nga federata përkatëse është 22 pikë.

Propozim:

Të mos kushtëzohet limiti i maksimumit të pikëve, ose ai të rritet deri në 28 pikë. Shembull: Bazuar në koeficient dhe limitin e caktuar, i bie që futbolli përkundër se ka masovitet enorm në krahasim me sportet tjera ekipore, të vlerësohet njësoj, pra me maksimumin e pikëve nga 22!

Çdo federatë e sportit kolektiv, e cila ka mbi 5000 sportistë, vlerësimi të jetë me maksimumin e pikëve 28 dhe njëkohësisht të hiqet maksimumi i propozuar prej 22 pikëve.

NENI 15 – Kriteri i aktivitetit vendor – kampionati shtetëror për federatat e sporteve indivduale

Propozim: Të zvogëlohet numri i sportistëve në grupmoshë prej 30 sa është propozuar në 20.

Arsyetim: Bazuar në përvojat e vlerësimit të kategorizimit të viteve të kaluara, shumica e federatave sportive nuk e arrijnë numri e 30 sportistëve, veçanërisht në grupmoshën e seniorëve.

NENI 17 – Kriteret e ngritjes së kapaciteteve

Propozim:

Pika 1.3. Të rritet vlerësimi për organizimin e trajnimit të referëve nga 1 në 2 pikë

Pika 1.4. Të ulet vlerësimi për organizimin e seminarit për administratorë sporti ose anti-doping nga 2 në 1 pikë.

NENI 19 – Financimi i federatave parasportive

Propozim: Të inkuadrohet edhe Olimpiada Speciale, organizata për të verbërit sportivë, organizata për të shurrdhët. 

Arsyetim: Komiteti Paralimpik i mbulon vetëm sportistët me aftësi të kufizuara fizike, kurse kufizimet tjera siç janë intelektuale i mbulojnë organizatata më lartë

NENI 21 – Aplikimi

Pika 4. Komiteti Olimpik i Kosovës dokumentacionin e pranuar për kategorizim nga federatat përkatëse është i obliguar ta dorëzojë te komisioni i vlerësimit brenda 5 ditësh nga mbyllja e afatit të aplikimit.

Propozim: Propozohet që afati të jetë brenda 10 ditëve për shkak të pamundësisë që në një afat kaq të shkurtër të dorëzohen dokumentacionet në fjalë. 

NENI 22 – Shqyrtimi dhe vlerësimi i dokumentacionit

Pika 3. Komisioni i vlerësimit përbëhet nga:

3.1.  Një anëtar nga Departamenti i Sportit;

3.2.  Një anëtar nga Departamenti Ligjor;

3.3. Një anëtar nga Divizioni për Buxhet dhe Financa;

3.4. Dy anëtarë nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

KOK ka përvojë në këtë Komision dhe është njohës i të gjitha procedurave në detaje. Tash e sa vite ka bërë një punë të suksseshme në këtë komision. Madje edhe zyrtarët mibkëqyrës të MKRS në këtë Komisioni nga viti i fundit kanë qenë të befasuar me punën e palodhshme dhe në detaje të Komisionit të KOK, ku nuk është marrë as sygjerimi më i vogël për ndryshim të procedurës së punës. Monitoruese e punës së Komisionit të KOK për kategorizimin e federatave sportive për vitin 2022 nga rradhët e MKRS ishte znj. Jehona Bashota.              

Propozim

 2.1. KOK të ketë tre anëtarë në komision; ose

2.2. KOK të ketë dy anëtarë nga Bordi Ekzekutiv dhe 1 anëtar nga stafi administrativ me përvojë profesionale për këtë proces

2.3. KOK të ketë dy anëtarë, MKRS të ketë dy anëtarë dhe një anëtar të jetë nga një institucion i tretë

Pika 4: Komisioni  i vlerësimit brenda 15 ditësh nga momenti i pranimit bën vlerësimin e kategorizimit të federatave sportive  dhe i njofton  lidhur me vlerësimin e kategorizimit.

Propozim: Afati të jetë deri më 30 Janar. Puna e këtij Komisioni është shumë intensive andaj afati 10 ditor sic po propozohet në këtë rregullore është shumë i shkurtër për një punë korrekte.

Propozim shtesë:

–  KOK propozon që neni 13 i rregullores aktuale për kategorizimin e sporteve të rikthehet edhe ne rregulloren e re (Kriteri i pjesëmarrjes në gara dhe aktivitrte tjera sportive dhe ndërkombëtare).

Arsyetim: Sipas eksperiencës së Komisionit të vlerësimit është e favorshme dhe motivuese për të gjitha federatat vlerësimi i këtij kriteri. Ky kriter konsiderohet shtytës për federatat sportive dhe sportistët që të organizojnë sa më shumë aktivitete sportive si dhe të marrin pjesë në sa më shumë aktivitete ndërkombëtare

Propozim ndryshimet për draft rregulloren e sportistëve dhe trajnerëve

NENI 5 – Kategoritë e thirrjeve të sportistëve dhe trajnerëve

Pika 5.1. Sportistët të cilët në Kampionate Botërore fitojnë medalje me kusht që të kenë marrë pjesë së paku 60 shtete, ndërsa në kategorinë ose disiplinën përkatëse të kenë marrë pjesë së paku 24 garues;

Propozim: Të ndrysohet numri i shteteve pjesëmarrëse dhe garuesve në kategori, në proporcion me propozimin e njëjtë tek Rregullorja e Sportit. Pra tek Kampionati Botëror të kërkohen 50 shtete pjesëmarrëse nga 60 sa janë tani dhe tek numri i garuesve në kategori të bëhen 18 nga 24.

NENI 9 – Thirrja Sportist i klasit botëror dhe Trajner i klasit botëror

Pika 3. Kohëzgjatja e përfitimit të të drejtave nga kjo kategori zgjat sipas ciklit të garës përkatëse.

Propozim. Kohëzgjatja e sportisit të klasit botëror, të zgjatë katër vjet, për shkak që shumica e sporteve i mbajnë kampionatet botërore çdo vit. Po ashtu, një sportist mund të përfitojë më shumë para nga një medalje e fituar në Lojërat Mesdhetare, ku do të përfitonte për katër vjet se sa një sportist që e fiton medaljen e njëjtë në Kampionatin Botëror, e cila i vlen vetëm një vit!

Propozojmë që ky nen të ndryshohet si në vijim:

Vlefshmëria e Kampionatit Botëror të jetë 4 vjet;

NENI 10 – Thirrja Sportist i klasit ndërkombëtar  dhe Trajner i klasit ndërkombëtar

Pika 6. Kohëzgjatja e përfitimit të të drejtave nga kjo kategori zgjat sipas ciklit të garës apo titullit përkatëse.

Propozim. Të ndryshohet edhe vlefshmëria e Kampionatit Evropian, të jetë 4 vjet, me arsyetimet e njëjta që u dhanë edhe tek neni 9, pika 3.

– Ndryshimet e njëjta të bëhen edhe tek neni 11, sa i përket kohëzgjatjes.

You may also like