KOMENT – Sondazhet zbulojnë qëndrimet ndaj pranimit të Ukrainës dhe Ballkanit Perëndimor në BE

by admin
Spread the love

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/  Sipas një sondazhi, evropianët janë përgjithësisht të hapur ndaj idesë së anëtarësimit të Ukrainës në BE, pavarësisht kostove dhe rreziqeve, por janë në mëdyshje për zgjerimin e mundshëm të bllokut dhe anëtarësimin e Gjeorgjisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas “The Guardian”.

Komisioni Evropian rekomandoi muajin e kaluar që bisedimet zyrtare të pranimit të fillojnë me Ukrainën dhe Moldavinë.

Njëzet e shtatë krerët e qeverive të BE-së do të diskutojnë propozimin në një samit të Brukselit këtë javë, megjithëse kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, ka thënë vazhdimisht se ai kundërshton hapjen e negociatave me Kievin.

Për një kohë të gjatë, zgjerimi është bërë një prioritet urgjent i BE-së që kur Rusia nisi luftën e saj kundër Ukrainës.

Komisioni në nëntor mbështeti gjithashtu bisedimet e hyrjes me Bosnjë-Hercegovinën pasi Sarajevi të jetë gati dhe rekomandoi që Gjeorgjisë t’i jepej statusi i vendit kandidat.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha dje se do të ishte “shkatërruese” për Kievin dhe BE-në nëse samiti nuk mbështeste fillimin e bisedimeve të pranimit.

“Nuk mund ta imagjinoj… as nuk dua të flas për pasojat”, tha Kuleba.

Sondazhi i gjashtë vendeve anëtare të BE-së për Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), tregoi një mbështetje të konsiderueshme për vendet kandidate si Ukraina dhe, në një masë më të vogël, për Moldavinë dhe Malin e Zi, por edhe shqetësime të thella ekonomike dhe të sigurisë.

Megjithatë, pati një kundërshtim të gjerë ndaj anëtarësimit eventual të Turqisë në veçanti, si dhe një qëndrim dukshëm të ftohtë ndaj perspektivës së Shqipërisë, Bosnjë-Herzegovinës, Gjeorgjisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë për t’iu bashkuar bllokut.

“Retorika gjeopolitike nga Brukseli po maskon shqetësimet e thella në vendet anëtare për pasojat e mundshme të zgjerimit dhe skepticizmin e përhapur në lidhje me aftësinë e BE-së për të thithur anëtarë të rinj”, tha Piotr Buras, një bashkëpunëtor i lartë i politikave të ECFR.

“Një afat kohor do të ofronte hapësirë për reformat e brendshme të BE-së, do të ndërtonte qëndrueshmëri dhe do t’i tregonte publikut pse zgjerimi është thelbësor”, tha ai.

Ëngjëllushe Morina, një tjetër anëtare e lartë e ECFR-së, tha se samiti mund të jetë më i rëndësishmi i historisë së fundit në BE.

Sondazhi tregoi një mbështetje të lartë për hyrjen e Ukrainës; në Danimarkë (50%) dhe Poloni (47%), në Rumani (32% pro, 29% kundër), Gjermani (37% pro, 39% kundër), Francë (29% pro, 35% kundër) dhe Austri (52% kundër).

Megjithatë, 45% e të anketuarve ishin të shqetësuar se pranimi i Ukrainës do të kishte një ndikim negativ në sigurinë e BE-së, kundrejt 25% që mendonin se do ta përmirësonte atë, ndërsa 39% besonin se hyrja e Kievit në BE do të ndikonte negativisht në sigurinë e vendit të tyre.

Shumë evropianë nuk parashikuan asnjë përfitim ekonomik nga anëtarësimi i Ukrainës. Ndërsa 43% e të anketuarve në Poloni dhe 37% në Rumani presin një ndikim pozitiv për ekonominë e BE-së, ndërsa 54% në Danimarkë dhe 46% në Austri parashikuan një kosto.

Kishte gjithashtu frikë për ndikimin e zgjerimit në fuqinë politike të BE-së në botë. Polonia dhe Danimarka ishin më optimistë për këtë, me 43% dhe 35% të qytetarëve që besonin se pranimi i Ukrainës do të kishte një ndikim pozitiv.

Në Austri (42%) dhe Gjermani (32%), megjithatë, pikëpamja më e përhapur ishte se anëtarësimi i Ukrainës do të zvogëlonte fuqinë politike të BE-së në botë, ndërsa të anketuarit në Francë dhe Rumani ishin më të ndarë.

ECFR identifikoi një ndarje të qartë midis vendeve anëtare “të vjetra” dhe “të reja” të BE-së në parimin më të gjerë të zgjerimit. Të anketuarit në Austri (53%), Gjermani (50%) dhe Francë (44%) kishin më shumë gjasa të mendonin se BE-ja nuk duhet të pranojë anëtarë të rinj.

Në të kundërt, në Rumani një shumicë (51%) dhe në Poloni një shumicë (48%) besonin se BE-ja duhet të kërkonte zgjerimin.

Danimarka ishte disi më e veçuar midis vendeve anëtare “të vjetra”, me vetëm 37% që kundërshtonin çdo zgjerim të menjëhershëm.

Sondazhi tregoi një kundërshtim të fortë ndaj mundësisë së anëtarësimit të Turqisë në BE, me 51% të të anketuarve në të gjashtë vendet që kundërshtojnë idenë dhe më pak se një në pesë të anketuar mbështesin çdo lëvizje për anëtarësimin turk.

Evropianët u treguan të ftohtë edhe ndaj Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Gjeorgjisë, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë për t’u bërë shtete anëtare, me më pak se 30% që i mbështetën.

Mbështetja për anëtarësim ishte më e dobët për Kosovën, me 20% që thanë se duhet të jetë në gjendje të anëtarësohet dhe 37% thanë se nuk duhet, Shqipëria (24% pro, 35% kundër), Serbia (25% pro, 35% kundër) dhe Gjeorgjia ( 25% pro, 31% kundër).

Opinioni u nda në mënyrë më të barabartë për Maqedoninë e Veriut (26% pro, 27% kundër) dhe Bosnjë-Hercegovinën (28% pro, 29% kundër), ndërsa pati mbështetje për Moldavinë (30% pro, 28% kundër) dhe Malin e Zi (30% kundrejt 25%) për anëtarësimin e tyre në BE.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like