KOMENT – SHBA shqyrton rreziqet për sigurinë kombëtare pas zbulimit të dokumenteve sekrete

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

UASHINGTON, 11 prill /ATSH-DPA/ – Qarkullimi i një sasie të madhe dokumentesh sekrete të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së në disa platforma po shqyrtohet në mënyrë serioze, përfshirë rreziqet e mundshme për sigurinë kombëtare, tha dje në mbrëmje administrata e presidentit Biden.

Dokumentet, të cilat u shfaqën këtë muaj në platformat e medieve sociale si, Twitter dhe Discord, përmbajnë informacione sekrete ushtarake amerikane për Ukrainën, Kinën dhe Lindjen e Mesme, ndër çështje të tjera të ndjeshme.

Departamenti i Mbrojtjes po rishikon çështjen për të përcaktuar çfarëdolloj implikimi të sigurisë kombëtare nga e gjithë kjo, dhe Departamenti i Drejtësisë po udhëheq një hetim penal”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

“Ne po e marrim këtë çështje shumë seriozisht. Nuk ka asnjë justifikim që këto lloj dokumentesh të jenë në domenin publik”, shtoi ai.

Dokumentet e klasifikuara nga agjencitë e shërbimeve sekrete amerikane kanë qarkulluar në internet prej disa javësh, shpesh në kanale pro-ruse, dhe detajet e shërbimeve sekrete rreth luftës në Ukrainë kanë tërhequr një vëmendje të veçantë.

Sipas raporteve të medias amerikane, dokumentet përmbajnë informacion mbi dërgesat e armëve në Ukrainë dhe shqetësimet rreth mungesës së mundshme të municioneve të Kievit.

Ekzistojnë gjithashtu informacione mbi planet e supozuara të NATO-s dhe SHBA-së se si ushtria ukrainase po përgatitet për një ofensivë pranverore për të rimarrë territorin nga Rusia.

Kirby tha se në disa raste dokumentet e postuara në internet ishin ndryshuar nga burimi origjinal i tyre./ /a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like