KOMENT – SHBA-ja dhe Gjermania dërgojnë tanke luftarake në Ukrainë

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 26 janar /ATSH-DPA/- Gjermania dhe SHBA-ja njoftuan të mërkurën se do të furnizojnë Ukrainën me tanke të rënda luftarake për t’u përballur me forcat pushtuese ruse dhe për të rimarrë territorin e pushtuar.

SHBA-ja do të dërgojë 31 tanke “M1 Abrams”, që është tanku kryesor i betejës i ushtrisë amerikane, ndërsa Gjermania do të dërgojë 14 nga tanket e saj të sofistikuar, “Leopard 2”, të cilin Bundeswehr e quan një “grabitqar të gjurmëve”.

Ukraina i është lutur Perëndimit të dërgojë armët e tij më të fuqishme, duke thënë se tanket e ndërtuara nga perëndimi ishin të nevojshme për të shtyrë forcat ruse në jug dhe në lindje.

“E gjithë kjo po bëhet për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë tokën ukrainase. Ky nuk është një kërcënim ndaj Rusisë”, tha presidenti amerikan, Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Njoftimi i Biden erdhi vetëm disa orë pasi kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se Berlini do të dërgonte 14 tanke “Leopard 2” nga rezervat e veta ushtarake në Ukrainë.

Qeveria e tij ka hezituar për marrjen e një vendimi për dorëzimin e tankeve, për muaj me radhë, e shqetësuar se mund të provokojnë Moskën për të përshkallëzuar luftën.

Qëllimi i Berlinit është të mbledhë sa më shpejt dy batalione tankesh “Leopard 2” nga vende të tjera evropiane, si Polonia, Finlanda, Norvegjia dhe Spanja.

Scholz hodhi poshtë akuzat se Gjermania kishte bërë shumë pak për të ofruar mbështetje ushtarake për Ukrainën.

“Gjermania do të jetë gjithmonë përpara kur vjen puna për të mbështetur Ukrainën”, tha ai në parlament.

Ministri i tij i Mbrojtjes Boris Pistorius tha se trajnimi dhe rregullimi i rrugëve të furnizimit me tanke do të fillonin tani shumë shpejt pas vendimit “historik”.

“Tanket e para luftarake “Leopard” nga Gjermania pritet të mbërrijnë në Ukrainë për rreth tre muaj”, tha ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

Qeveria gjermane do të lëshojë gjithashtu licensat e nevojshme për eksportin tankeve të prodhimit gjerman, për vendet e tjera.

Biden njoftoi se dërgimi i tankeve “Abrams” në Ukrainë mund të përfshinin një proces i gjatë.

“Dorëzimi i këtyre tankeve në terren do të marrë kohë. Një kohë ku do të shohim dhe do ta përdorim për t’u siguruar që ukrainasit të jenë plotësisht të përgatitur”, tha ai.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like