KOMENT – Pavarësisht dy votimeve në një ditë, Italia ende pa president

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

ROMË, 29 janar /ATSH-DPA/ – Përpjekjet e Italisë për një president të ri nuk po shohin dritë në fund të tunelit, pasi ende nuk ka asnjë fitues, pavarësisht se dje në parlamentin italian u zhvilluan dy votime.

Ato ishin raundi i pestë dhe i gjashtë, mes një përpjekjeje që po vazhdon që nga e hëna për të gjetur një zëvendësues për presidentin Sergio Mattarella.

Një raund tjetër është caktuar për sot.

Maria Elisabetta Casellati, një e besuar e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi dhe presidentja në detyrë e Senatit, mori më shumë vota në raundin e pestë, 382 nga 1 009 parlamentarë dhe përfaqësues rajonalë e mbështetën atë.

Megjithatë, ajo ishte shumë larg shumicës absolute prej 505 votash të nevojshme për t’u bërë presidentja e parë e Italisë.

”Lega” e krahut të djathtë e ish-ministrit të brendshëm Matteo Salvini dhe ”Forza Italia” e Berlusconit ishin ndër partitë që kishin mbështetur Casellatin përpara votimit.

Gjithashtu, 406 përfaqësues abstenuan nga votimi.

Nga 530 vota të hedhura, 46 shkuan për presidentin aktual Mattarella. Megjithatë, ai nuk mendohet se do të kërkojë një mandat të dytë në detyrë.

Votat shkuan edhe për kryeministrin Mario Draghi dhe ministren e Drejtësisë, Marta Cartabia.

Raundi i gjashtë dha dje edhe më pak qartësi, me 336 vota për Mattarellan, 445 abstenime dhe 106 fletë votimi bosh.

Kreu i krahut të djathtë radikal ”Fratelli d’Italia” u ankua se ishte e pamundur të vendosej diçka në parlamentin italian, duke argumentuar se populli italian duhet të zgjedhë drejtpërdrejt kreun e shtetit të tyre.

Votimi i fshehtë dhe negociatat intensive për të zgjedhur presidentin e Italisë nisën që të hënën, por nuk është bërë asnjë përparim, edhe pasi pragu për një fitore u ul në një shumicë të thjeshtë, nga dy të tretat e nevojshme në raundet fillestare.

Megjithatë, pas raundeve të së premtes, krerët e socialdemokratëve të qendrës së majtë,  u takuan për bisedime.

Giuseppe Conte i lëvizjes ”Pesë Yjet” foli gjithashtu për një grua si presidente.

Mandati shtatëvjeçar i presidentit është kryesisht i mbushur me çështje ceremoniale, por ndonjëherë mund të ketë pushtet të madh, duke përfshirë ndalimin e legjislacionit, shpërndarjen e parlamentit dhe rrjedhimisht zhvillimin e zgjedhjeve të reja dhe miratimin ose pengimin e emërimit të ministrave./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like