KOMENT – ”Nën qiellin e Parisit” mbyllen Lojërat Olimpike

by admin
Spread the love

PARIS, 11 gusht /ATSH/ – Me këngën e Edith Piaff ”Sous le ciel de Paris” (”Nën qiellin e Parisit”), kënduar nga Zaho de Sagazan dhe kori i Akademisë ”Haendel-Hendrix” filloi  ceremonia e mbylljes së Lojërave Olimpike në Paris.

Kjo ishte një shfaqje e planifikuar prej gati tre orësh në ”Stade de France” që përfshiu dorëzimin për në Lojërat e ardhshme 2028 në Los Anxheles.

Sensacioni francez i notit, Léon Marchard, simbolikisht mori flakën nga kazani olimpik, në kopshtet e Tuileries, për në stadium, ku edhe u shua më vonë, sipas DPA.

Rreth 270 interpretues mahnitën spektatorët në stadium dhe miliarda të tjerë në mbarë botën përmes televizionit dhe transmetimeve të drejtpërdrejta, në fund të Lojërave që u hapën më 26 korrik.

Në këtë ceremoni u përfshinë edhe Billie Eilish, Red Hot Chillie Peppers dhe Snoop Dogg.

Parada e atletëve nuk ishte sipas vendit, por në një përzierje kombesh, me mbajtës të flamurit, duke përfshirë heroin francez të regbit Antoine Dupont, notaren amerikane Katie Ledecky dhe triathletin britanik Alex Yee.

U përfshi gjithashtu ceremonia e fitores për maratonën e femrave, e fituar nga holandezja Sifan Hassan, 36 orë pas një bronzi në 10 000 metra dhe shtatë ditë pas një bronzi në 5 000 metra.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach mbylli zyrtarisht Lojërat, të fundit të tij pasi ai do të largohet vitin e ardhshëm, ndërsa kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo i dorëzoi flamurin olimpik homologes së saj të Los Anxhelesit, Karen Bass, të cilin më pas e mori ylli i Hollivudit, Tom Cruise.

Ceremonia e mbylljes së Lojërave është mbajtur para 71 500 spektatorëve në stadiumin ”Stade de France”, të cilët kanë duartrokitur gjatë parakalimit të rreth 9 000 atletëve, me flamuj të shteteve të tyre në duar, sipas REL.

Në ndryshim nga ceremonia hapëse, me një ditë me shi në lumin Senë, ceremonia mbyllëse nisi pas perëndimit të diellit në kryeqytetin francez./  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like