KOMENT – Mes tensioneve globale, Kina rrit 7,2% shpenzimet ushtarake

by admin
Spread the love

PEKIN, 6 mars /ATSH-DPA/ – Kina planifikon të rrisë shpenzimet e saj ushtarake me 7,2% këtë vit në përgjigje të pasigurive gjeopolitike, sipas një projektbuxheti të paraqitur në fillim të sesionit të këtij viti të Kongresit Kombëtar të Popullit në Pekin.

Rritja në shpenzimet e mbrojtjes është proporcionalisht më e lartë se rritja e planifikuar e shpenzimeve totale.

Duke iu drejtuar pothuajse 3 000 delegatëve në Sallën e Madhe të Popullit, kryeministri kinez në largim, Li Keqiang bëri thirrje për zgjerimin e forcave të armatosura të vendit, të cilat duhet të rrisin gatishmërinë luftarake dhe të rrisin aftësitë ushtarake në mënyrë që të përmbushin detyrat që u janë besuar nga Partia dhe njerëzit.

Një zëdhënës i takimit, një ditë më parë, e kishte justifikuar rritjen mbi mesataren me “sfidat komplekse të sigurisë” dhe “përgjegjësitë e Kinës si një fuqi e madhe”.

Buxheti i mbrojtjes i Kinës është rritur vazhdimisht më shpejt se shpenzimet totale në vitet e fundit.

Vitin e kaluar buxheti ushtarak u rrit me 7,1%.

Fokusi i takimit vjetor njëjavor të delegatëve të zgjedhur është miratimi i formimit të planifikuar të një qeverie të re dhe përcaktimi i kursit ekonomik dhe politik të vendit.

”Ekonomia e Kinës pritet të rritet rreth 5%”, tha Li teksa hapi seancën e këtij viti.

Pas përfundimit të strategjisë strikte ”zero Covid-19”, e cila kishte rënduar rëndë ekonominë e dytë më të madhe në botë vitin e kaluar, Li tha se pret që Kina të rimëkëmbet ndjeshëm.

Objektivi i rritjes vitin e kaluar ishte rreth 5,5%.

Sidoqoftë, nën presionin e politikës së rreptë të bllokimeve, karantinave të detyruara dhe testimeve masive, të cilat u braktisën vetëm në dhjetor, ekonomia e dytë më e madhe në botë u rrit vetëm 3,0%.

Ishte shkalla e dytë më e keqe e rritjes që nga viti 1976 dhe vetëm pak më e mirë se 2,2% e vitit 2020 në fillim të pandemisë.

Për të stimuluar ekonominë, Kina po planifikon të krijojë më shumë borxhe të reja në vitin 2023 sesa vitin e kaluar.

Sipas projektbuxhetit të qeverisë të publikuar sot, deficiti do të jetë rreth 3,0% e PBB-së.

Në vitin 2022, deficiti u vendos në 2,8%.

“Është e rëndësishme që këtë vit t’i jepet përparësi stabilitetit ekonomik”, tha Li.

Ai theksoi veçanërisht nevojën për masa për të ndihmuar në ringjalljen e konsumit dhe tha se 12 milionë vende të reja pune do të krijohen në qytetet e Kinës ose një milion më shumë se sa ishte planifikuar vitin e kaluar.

Qeveria synon një normë papunësie rreth 5,5% dhe rreth 3,0% inflacion.

Pas dy mandatesh në detyrë, 67-vjeçari Li do të zëvendësohet nga ish-lideri i partisë së Shangait, Li Qiang.

Kreu i shtetit dhe partisë Xi Jinping, i cili forcoi pushtetin e tij në kongresin e partisë në tetor, është e sigurt që do të konfirmohet për një mandat të tretë të paprecedentë si president./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like