KOMENT – Lufta dhe pandemia rrisin çmimin e lëndëve të para

by admin
Spread the love

LONDËR, 2 prill /ATSH-DPA/ – Lufta në Ukrainë do t’i bëjë lëndët e para përgjithmonë më të shtrenjta dhe do të shkaktojë trazira të qëndrueshme në treg, tha një ekspert i industrisë për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA.

”Duke pasur parasysh të gjitha pasiguritë me fillimin e dekadës aktuale, një gjë është e qartë, ajo që ne jemi dëshmitarët e fundit të një epoke të lëndëve të para të lira”, tha Benedikt Sobotka, kreu i Eurasian Resources Group (ERG), me qendër në Luksemburg.

“Efektet e shkaktuara nga pandemia janë përkeqësuar nga ngjarjet e fundit në lidhje me Ukrainën. Sanksionet ndërkombëtare po kontribuojnë në rritje të paprecedentë të çmimeve”, tha Sobotka.

”Kostot e grurit, plehrave, naftës së papërpunuar, gazit natyror, aluminit dhe bakrit janë ngjitur në nivele të larta që nga fillimi i vitit dhe luhatjet e mëtejshme të çmimeve janë të pashmangshme”, theksoi ai.

“Në muajt e ardhshëm, shumë elementë të rëndësishëm të jetës sonë të përditshme priren të bëhen më të shtrenjta, nga buka dhe kafeja, kompjuterët dhe makinat, te materialet e ndërtimit dhe shtëpitë”, shtoi Sobotka.

ERG thotë se është një nga prodhuesit kryesorë në botë të kobaltit dhe bakrit, si dhe një furnizues kryesor i aluminit dhe mineralit të hekurit.

Grupi operon kryesisht në Kazakistan, Brazil dhe Afrikën Jugore dhe punëson rreth 75 000 persona.

“Sektori i mallrave është duke pësuar transformimin e tij më të madh në vite”, tha Sobotka.

”Disa ndryshime po zgjasin më shumë, por janë të përkohshme, siç janë çështjet e zinxhirit të furnizimit. Të tjerat, si çështja e burimeve të furnizimit apo përcaktimi i materialeve strategjike, janë më themelore”, tha ai.

“Nuk është më e mundur të zgjedhësh klientin më të mirë, rrugën më fitimprurëse ose materialin më të lirë në dispozicion”, shtoi Sobotka.

“Kjo është kostoja e përmirësimit të qëndrueshmërisë afatgjatë dhe ndikimi i pasigurisë gjeopolitike globale me të cilën prodhuesit duhet të përshtaten. Luftimet kanë pasur pasoja konkrete për prodhuesit e automjeteve, për shembull, pasi Ukraina ka qenë një furnizuese kryesore”, tha ai.

”Rusia është vend kryesor për shumë metale si nikeli, i cili është i rëndësishëm për bateritë dhe alumini, i cili nevojitet për shasitë dhe rrotat e makinave, si dhe paladiumi dhe platini, të cilët janë komponentë të rëndësishëm në sistemet e shkarkimit të automjeteve”, shton eksperti.

Kur bëhet fjalë për bakrin dhe kobaltin, presioni i furnizimit që ekzistonte tashmë është përkeqësuar, veçanërisht pasi inventarët globalë janë të ulët. Edhe para fillimit të luftës, ekspertët kishin parashikuar një mungesë të bakrit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like