KOMENT – Kievi zotohet të rimarrë territoret e aneksuara

by admin
Spread the love

KIEV, 2 tetor /ATSH-DPA/- Pas luftimeve intensive, forcat ukrainase fituan dje kontrollin e qytetit të Lyman.

Gjatë javëve të fundit, Rusia ka përjetuar një sërë pengesash ushtarake në luftën e saj shtatë-mujore kundër fqinjit të saj, pasi forcat ukrainase kanë fituar terren.

Por, pas një sërë referendumesh, të kryera në katër territore ukrainase të pushtuara nga Rusia dhe të konsideruara si të rreme nga Perëndimi, Moska tani e konsideron pjesën më të madhe të Ukrainës lindore si një territor rus.

Rusia aneksoi të premten katër territoret ukrainase, një akt i cili nuk njihet ndërkombëtarisht.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është zotuar se forcat e Kievit do të rimarrin territoret e aneksuara.

Ukraina ka marrë ndihmë ushtarake nga vendet perëndimore në përpjekjen e saj për të dëbuar rusët nga territori i saj.

Sipas një raporti në gazetën “Le Monde”, Franca po furnizon Ukrainën me gjashtë deri në 12 obusa të tjerë “Cezar” për të shmangur luftën e Rusisë.

Sipas një njoftimi të pallatit Élysée, presidenti Emmanuel Macron zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministren daneze, Mette Frederiksen. Të dy kanë rënë dakord për të rritur mbështetjen për Ukrainën.

Ndërkohë autoriteti bërthamor ukrainas akuzoi dje forcat ruse për rrëmbimin e kreut të centralit bërthamor të Zaporizhias.

“Drejtori i përgjithshëm i centralit, Ihor Murashov, u tërhoq zvarrë nga makina e tij dhe u dërgua me sy të lidhur në një vend të panjohur”, raportoi presidenti i kompanisë shtetërore bërthamore “Energoatom”, Petro Kotin.

“Nuk dihet për fatin e tij”, shkroi Kotin në Telegram. Ai i kërkoi Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) të bënte një fushatë për lirimin e Murashov.

“Autoritetet ruse më vonë informuan IAEA se Murashov ishte ndaluar përkohësisht për t’iu përgjigjur pyetjeve”, sipas një zëdhënësi të IAEA-s, në Vjenë.

Kotin akuzoi Rusinë për terrorizëm bërthamor kundër menaxhimit dhe stafit të centralit.

“Murashov, i cili mban përgjegjësinë kryesore për funksionimin e sigurt dhe sigurinë bërthamore të centralit, duhet të lirohet menjëherë”, tha ai.

IAEA kontaktoi autoritetet ruse dhe kërkoi sqarime.

“Te paktën 24 persona, përfshirë 13 fëmijë, janë vrarë pasi forcat ruse qëlluan mbi disa automjete civile që përpiqeshin t’i shpëtonin armiqësive pranë qytetit ukrainas, Kupiansk”, sipas zyrtarëve ukrainas.

Rajoni mbetet i kontestuar, edhe pasi trupat ruse u dëbuan nga fortifikimet ukrainase, muajin e kaluar. Kremlini ka dhënë asnjë deklaratë për incidentin.

Raportet nga Ukraina nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like