KOMENT – Herzog: A mund të imagjinohet një Evropë pa hebrenjtë Frojd, Ajnshtajn, Kafka apo Marks?

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

BRUKSEL, 26 janar /ATSH-ANSA/ – A mund ta imagjinojë dikush një Evropë pa teoritë e Sigmund Frojdit, pa gjeniun Albert Ajnshtajn apo Emmy Noether? A do të ekzistonte një Evropë pa jehonën e mendimit të Karl Marksit?

Si mund të konceptohet filozofia evropiane pa Baruch Spinozën apo Henri Bergsonin apo frymën e kulturës evropiane të Amedeo Modiglianit dhe Franz Kafkas?

Këto janë pyetjet që presidenti izraelit, Isaac Herzog i bëri gjatë fjalimit të tij në seancën plenare të Parlamentit Evropian me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

”Kur jemi bashkë, këtu në zemrën e Bashkimit Evropian, ne e kuptojmë mirë misionin e kujtesës që ndajmë të gjithë. Por, në vendet e kujtimit ku bëjmë pelegrinazhe, duhet të kujtojmë jo vetëm Holokaustin dhe shkatërrimin, por edhe besëlidhjen e shenjtë të lidhur në këtë fatkeqësi të tmerrshme dhe të shenjtërojmë kujtimin e viktimave”, theksoi presidenti.

”Në këtë seancë plenare, dëshiroj të nënvizoj vijën e hollë midis kritikave ndaj shtetit të Izraelit dhe mohimit të ekzistencës së shtetit të Izraelit. Sigurisht, bëni mirë që na kritikoni dhe nuk ka problem nëse nuk pajtoheni me ne. Vendi ynë është i hapur ndaj kritikave si të gjithë anëtarët e familjes së kombeve”, shtoi presidenti Herzog.

”Megjithatë, vënia në pikëpyetje e së drejtës së popullit hebre për të ekzistuar në shtetin-komb nuk është diplomaci legjitime! Është antisemitizëm në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe duhet të çrrënjoset plotësisht”, deklaroi presidenti.

”Raportet e fundit tregojnë për rekorde të re të urrejtjes. Antisemitizmi vazhdon të vendosë  maska ​​të reja në platformat virtuale… ai ushqehet prej tyre dhe zë rrënjë duke lulëzuar, duke përhapur helm. Në internet, antisemitizmi viral po përhapet me një ritëm të shpejtë rekord, me vetëm një klikim”, shpjegoi Herzog.

”Diferenca midis një videoje virale dhe një sulmi fizik nuk ekziston më, distanca midis një postimi në Facebook dhe shembjes së gurëve të varrit në një varrezë është më e shkurtër nga sa mund të mendohet. Tweet-et nga një i çmendur mund të vrasin”, përfundoi presidenti./  /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like