KOMENT – Bisedimet ruso-ukrainase për paqen ngjallin shpresë

by admin
Spread the love

STAMBOLL, 29 mars /ATSH/- Bisedimet e Stambollit mes Rusisë dhe Ukrainës kanë dhënë rezultate të mjaftueshme për organizimin e një takimi ballë për ballë midis presidentëve të dy vendeve, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, deklaroi sot këshilltari presidencial ukrainas, Mikhailo Podolyak.

“Ne do të vazhdojmë negociatat me Rusinë por do të përfshijmë edhe vendet garantuese”, tha ai duke përmendur Izraelin, Turqinë, Kanadanë dhe Poloninë.

“Nëse sistemi i garancive për sigurinë e Ukrainës, i propozuar nga Rusia, do të funksiononte, qeveria e Kievit do të pranonte statusin e neutralitetit”, shtoi kreu i delegacionit ukrainas, David Arakhmia.

“Me neutralitet, nuk do të kishte baza të huaja në Ukrainë. Më konkretisht, Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO, por kandidatura e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian nuk mund të bllokohet”, bëri të ditur delegacioni ukrainas, duke kërkuar garanci për sigurinë.

Së fundi, Ukraina i ka propozuar Rusisë që të zhvillojë konsultime për 15 vjet për statusin e Krimesë.

Sipas TASS, kryenegociatori rus Vladimir Medinsky deklaroi se bisedimet kishin qënë konstruktive.

Një takim mes Putinit dhe Zelensky do të jetë i mundur vetëm pasi të nënshkruhet një marrëveshje paqeje nga ministrat e Jashtëm përkatës.

“Ne do të ndërmarrim dy hapa konkretë për të shmangur përshkallëzimin e krizës”, përfundoi Medinsky, duke njoftuar se Rusia do të ndalojë aktivitetin ushtarak pranë Kievit dhe Chernihiv.

Nëse puna për traktatin Moskë-Kiev ecën shpejt dhe arrihet një kompromis, mundësia e një traktati paqeje do të jetë më e afërt.

Delegacionet nga Rusia dhe Ukraina u takuan sot në zyrën presidenciale ”Dolmabahçe” në Stamboll në kuadër të luftës ruse në Ukrainë.

Në më shumë se një muaj luftë, negociatorët nga Ukraina dhe Rusia janë takuar tre herë në rajonin kufitar të Bjellorusisë. Bisedimet më pas janë zhvilluar online por pa dhënë ndonjë sinjal për arritjen e një kompromisi mes dy palëve.

Më 10 mars, Turqia priti takimin e shefave të diplomacisë ruse dhe ukrainase në qytetin jugor Antalia, një takim i nivelit të lartë të të dy palëve që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Edhe pse palët nuk arritën një marrëveshje për një armëpushim, ata ranë dakord të vazhdonin negociatat lidhur me konfliktin.

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është përballur me ndëshkime ndërkombëtare, ku Bashkimi Evropian (BE), SHBA-ja dhe Britania e Madhe, ndër të tjera, po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

You may also like