Kombëtarja U21, trajneri Bushi: Nuk kemi emra, por kemi grup shumë të mirë!

by admin
Spread the love

Trajneri i Kombëtares shqiptare U-21 doli paraditen e kësaj të premteje në një konferencë zyrtare për mediat, ku komentoi listën me 23 lojtarët e grumbulluar që do të përfaqësojnë Shqipërinë në miqësoret kundër San Marinos dhe Malit të Zi. Në konferencën e zhvilluar në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’, trajneri Bushi sqaroi njëherë e mirë çështjen ‘Andreas Ndoj’, ndërsa foli edhe për emrat e rinj që janë ftuar për herë të parë në Kombëtare. Gjatë konferencës, ai bëri një thirrje për klubet shqiptare, që të aktivizojnë sa më shumë lojtarët e rinj. Më tej, tekniku shqiptar u ndal edhe te goditja ‘Arda Kurtulan’, si edhe theksoi objektivat që ka Kombëtarja U-21 në këto dy miqësore.

Çështja ‘Andreas Ndoj’ – Ndoj bëri dy zgjedhje brenda një muaji. Ka qenë lojtar i rëndësishëm i yni kur ka nisur sportin, tek Kombëtarja U-17 me profesor Xhemon. Pastaj, vendosi të kalojë te Greqia. Në një kohë që nuk po e merrte Greqia, unë e pashë në disa video me Olimpiakosin B, më pëlqeu. Kontaktova me prindërit e tij dhe i thashë, mendojeni nëse do të jetë pjesë e ekipit U-21 dhe më tha PO me shumë kënaqësi. U bë pjesë e U-21, hodhi një firmë që ndryshon Federatën, nga ajo greke në shqiptare, pasi duhet një firmë që të luash ndeshje miqësore, siç luajtëm ne. e hodhi firmën vetë, në dokumentin që ishte edhe shqip, edhe anglisht. Pastaj u kthye në Greqi, e mori ekipi i parë dhe tha nuk dua të luaj më për Shqipërinë, por për Greqinë. Nuk ka asnjë lloj problemi për ne, sepse ne duam lojtarë që ta ndjejnë fanellën kur luajnë për Shqipërinë. Nëse ai është me dy mendje, mbase ka edhe të drejtë, sepse kështu e ndjen ai. Thjesht ne duam lojtarë që të ndjejnë fanellën, dhe ‘të mos luajnë’ shumë me ne. Nuk ka asnjë problem për ne sepse ne vazhdojmë punën, lojtarë ka plot Shqipëria plot. I uroj suksese Ndojit aty ku do të jetë.

Shanse për rikthim në Kombëtare? – Ne mirëpresim çdo lojtar, nuk ka asnjë lloj problemi. Nëse do të jetë në kapacitetin e duhur, ne i mirëpresim. Ndoj është një lojtar që ka cilësi. Por edhe vetë ai bëri brenda një muaji dy zgjedhje.

Emra të rinj në Kombëtare, a mund të bëjnë mirë në të ardhmen? – Pavarësisht se unë e kam thënë gjithmonë që objektivi ynë është furnizimi i ekipit A me elementë të rinj, objektivi personal është për t’u kualifikuar ky ekip në kampionatin Europian. Por duhet të bashkohen shumë gjëra bashkë që U-21 të kualifikohet në Europian. Por, shumë lojtarë nga ekipi U-21 shkojnë tek ekipi i parë sepse ne jemi në një periudhë tranzicioni dhe ekipi i parë kërkon të rinj për EURO 2024 siç ka thënë dhe trajneri Reja dhe na ka penalizuar në njëfarë mënyre. Sepse nëse do të kishim ato lojtarë, mund të kishim bërë akoma më mirë. Por edhe më këta lojtarë që kemi aktualisht, mendoj se do të bëjmë mirë. Sot, nëse je i mobilizuar, i përqëndruar dhe jep maksimumin dhe sakrifikon, nuk duhet të kemi frikë asnjë lloj ekipi. Do të veçoja Gjermaninë e Francën që janë të papërballueshëm, ndërsa ekipet e tjera mund t’i përballojmë. Futbolli është bërë shumë i lexueshëm nëse punon. Edhe ne mund t’i analizojmë ekipet se ku i kanë defektet dhe ku i ka cilësitë e mira. Jemi një ekip i ri, kemi shumë lojtarë që nuk kanë ardhur, pasi kjo nuk është datë e FIFA-s. 3-4 lojtarë që janë më cilësorët te ne nuk janë pjesë kësaj radhe, por do të jenë në miqësoret e marsit.

Bushi, trajner i Kombëtares A? – Është motivim për çdo trajner kur Presidenti të përmend emrin por gjithsesi, ne jemi të fokusuar tek U-21 dhe ndihemi shumë mirë. Sepse është njësoj, si të jesh trajner i A-së, si i i U-21, objektivi është që Shqipëria të kualifikohet në Kampionatin Europian apo atë Botëror.

Si është atmosfera mes lojtarëve dhe fryma e grupit? – Lojtarët e kanë frymën e grupit. Sa i përket lojtarëve të Superiores, desha të theksoj diçka. Këtë vit nuk ka shumë lojtarë nga Superiorja për të furnizuar Kombëtaren U-21. Është rast unik në botë, që në Kombëtaren U-21 të luajë vetëm një lojtar në formacion dhe ai është Alivoda. Dhe kjo bie mbi klubet, që duhet të aktivizojnë më shumë të rinj, sepse nuk mund të ndërtohet U-21 vetëm me një lojtar formacioni që është Alivoda. Do të dëshiroja që klubet shqiptare të aktivizonin sa më shumë lojtarë të rinj, sepse nuk kanë ndonjë diferencë shumë të madhe lojtarët e huaj nga lojtarët e rinj që vijnë nga Akademitë. Mendoj se duhet t’i aktivizojnë më shumë të rinjtë. T’i japin besim. Është rasti i Buxhelajt, që i dhanë besim dhe ai bëri shumë mirë. Rasti i Alivodës, që profesor Josa i dha mundësi dhe ai e justifikoi veten. Mendoj se çdo ekip duhet të aktivizojë sa më shumë të rinj.

A është Arda Kurtulan ‘një goditje’? – Arda Kurtulan është risi sepse ka qenë lojtar i ekipit të Fenerbahçes dhe ka debutuar si lojtari më i ri i gjithë kohërave në kampionatin turk me Fenerbahçen. Është një super talent dhe mendoj se do t’i shërbejë futbollit shqiptar. Luajti kundër nesh me Maqedoninë e Veriut. Por unë dhe i ati i tij kemi luajtur futboll bashkë në Turqi dhe kjo është një lidhje që e bëri të vijë te Shqipëria. Unë dua të falënderoj Ardën, familjen e tij për zgjedhjen që bëri, pasi prejardhja e tij është nga Shkupi. E falënderoj që u bë pjesë e Shqipërisë dhe mendoj se do të jetë një lojtar me shumë vlera që do t’i shërbejë ekipit të parë.

Mesfusha? – Kemi probleme me lojtarët, pasi nuk na i lënë klubet. Frroku i Panathinaikos këputi ligament dhe është gati një vit jashtë. Berisha, i cili është kapiten i ekipit te Leçe, nuk e la klubi. Kemi edhe disa lojtarë të tjerë që nuk i lënë klubet dhe të dëmtuar. Por dhe këta që janë mendoj se do të bëjnë mirë.

Ky grup, një brez tranzicioni? – Nuk janë emra shumë të mëdhenj, mund të bëhen me kalimin e kohës nëse punojnë fort dhe janë të përqëndruar te puna e tyre. Por kemi një ekip të mirë. Mund të them që nuk kemi emra, por kemi grup këtë radhë. Mendoj që do të bëjmë shumë mirë. Unë jam shumë i kënaqur, pavarësisht se ne humbëm si me Kroacinë dhe me Maqedoninë, pasi ne i aktivizuam të gjithë lojtarët e grumbulluar. Jemi të kënaqur si staf për lojtarët që kemi aktualisht. Shpresoj mos të kemi dëmtime gjatë kampionatit, pasi kemi një grup shumë të mirë. Unë mendoj që do ta tentojmë kualifikimin këtë vit, pavarësisht se s’kemi emra, por siç e thashë kemi grup. Pres që të shfaqin paraqitje të mirë kundër San Marinos dhe Malit të Zi. Pavarësisht se në letër San Marino duket një ekip i lehtë, por nuk është. Pres që ekipi të japë maksimumin dhe të bëjë ato gjëra që ne i kërkojmë.

Repartet ku vuan Kombëtarja U-21? – Na mungon një sulmues i mirë. Kemi sulmues, por jo që të bëjë gola. Kemi sulmues të mirë, si Toçi, Nikqi, Shpendi, por jo goli. Një mbrojtës, mendoj që do ta gjejmë. Edhe Preka, lojtari i Partizanit, i cili nuk është këtë radhë me ne, pasi nuk ka luajtur me Partizanin, shpresoj që të vijë sepse ka qenë shumë cilësor. Me Arda Kurtulan forcohemi shumë në sulm. Jemi ekip i mirë dhe shpresoj mos të kemi mungesa. Dua të veçoj edhe Pajazitin që vjen nga Fulhami dhe është lojtar me nivel shumë të lartë që do t’i shërbejë Shqipërisë për shumë vite. Mund ta krahasoj me Demollarin. Një lojtar shumë cilësor, do ta shihni me U-21 dhe shumë shpejt mendoj se do të jetë te Kombëtarja A.

You may also like