Kombëtarja U-21 luan dy miqësore me San Marinon dhe Malin e Zi në muajin nëntor

by admin
Spread the love

Përveç Kombëtares A në muajin nëntor do të ketë edhe 2 miqësore për Kombëtaren U-21. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se është konfirmuar tashmë miqësorja San Marino U21 – Shqipëri U21, që do të luhet më datë 16.11.2022 në stadiumin kombëtar të San Marinos duke nisur nga ora 18:00 si edhe miqësorja Mal i Zi U21 – Shqipëri U-21, që do të luhet më datë 20.11.2022 në stadiumin “Gradski” në Podgoricë duke nisur nga ora 13:00.

Të dyja ndeshjet do të luhen jashtë vendit, ndërsa trajneri i ekipit kuqezi, Alban Bushi ka sërish mundësi të provojë grupin që aktualisht në dispozicion, por edhe lojtarë të rinj që vijnë nga ekipet e tjera të moshave e që mund të bëhen pjesë e Kombëtares U-21 në eliminatoret e ardhshme të Europianit të radhës.

Siç dihet skuadra është në proces rinovimi pasi një pjesë e mirë e lojtarëve që ishin pjesë e grupit në edicionin e fundit kanë kaluar moshën dhe do të zëvendësohen nga lojtarë që vijnë nga ekipet Kombëtare U-19, U-18 e U-17. Në muajin shtator Kombëtarja U21 zhvilloi dy miqësore mjaft të vlefshme ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë, me të dyja ndeshjet që u luajtën në Kroaci e ku stafi teknik testoi shumë elementë të spikatur të grup-moshave U20, duke marrë përshtypje të mira për shumë prej tyre.

Eliminatoret e Europianit për moshën U21 do të nisin vitin e ardhshëm, kësisoj do të ketë edhe mundësi të tjera për Kombëtaren shqiptare të kësaj grup-moshe që të përgatitet si duhet dhe të luajë miqësore të tjera deri në startin e turneut zyrtar.

You may also like