Kombëtarja i jep dorën e fundit përgatitjeve, nesër udhëton drejt Barcelonës

by admin
Spread the love

Kombëtarja shqiptare vijon me përgatitjet në Spanjë, ku ndodhet që prej ditës së hënë në kuadër të dy miqësoreve të marsit. Skuadra është e akomoduar në një lokalitet afër Barcelonës, mjaft i përshtatshëm për ekipet e futbollit që frekuentojnë shpesh këtë zonë gjatë fazave përgatitore për shkak të kushteve mjaft të mira stërvitore dhe klimaterike.

Kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë stërvitore mjaft intensive me lojtarët e grumbulluar që vazhdojnë të japin impenjimin maksimal në fushë. Ekipi është stërvitur për rreth dy orë në qendrën stërvitore “Royalverd Vall de Bas” me seancën që ka nisur si zakonisht në ora 16:00 e ku trajneri Edoardo Reja ka pasur mundësi të testojë ekipin dhe vendosje taktike. Të gjithë lojtarët janë në formë të mirë dhe konkurrenca është mjaft e lartë në të gjithë repartet.

Ndërkaq, nesër paradite skuadra do të spostohet në qytetin e Barcelonës, teksa pasdite në ora 17:00 do të zhvillojë një seancë stërvitore në stadiumin e “RCDE” ku të shtunën do të zhvillohet edhe ndeshja ndaj Spanjës. Si zakonisht para seancës stërvitore do të zhvillohet edhe konferenca zyrtare për median me trajnerin dhe një lojtarë të Kombëtares që do të paraqiten para gazetarëve. / Oversport.tv

Foto: fshf.org

You may also like