“Koha që do të doja” nga Fabio Volo. Fragment fantastik nga një roman prekës për dashurinë…

by admin
Spread the love

Është një ndër romanet më të bukura të autorit italian Fabio Volo. Trajton dashurinë, ndarjen dhe sërish dashurinë mes Lorenzos, të lindur në një familje tepër të varfër, me Federicën. Më poshtë do të mund të lexoni një nga fragmentet më të bukur dhe më romantikë të romanit, momentin kur Federica dashurohet për herë të dytë me Lorenzon.

“Lorenzo, të kam dashur gjithmonë. Të dua njësoj si herën e parë. Të dua si gjithmonë, si atëherë kur u largova, si atëherë kur u ktheva. Të dua siç të kam dashur në këto dy vite… Nuk mund të dua asnjë person tjetër, siç të dua ty. E kam provuar, por nuk ia kam dalë. Më pëlqen të rri me ty, sepse më pëlqen si më sheh, si më përkëdhel, si më flet, si më prek, si bëjmë dashuri. Më pëlqejnë dobësitë e tua, ato që me fanatizëm i mban të fshehta. Më pëlqen t’i zbuloj. T’i njoh. T’i kuptoj. Më pëlqen, edhe pse ke qenë përherë një çmim i lartë për t’u paguar. Ke fituar. Dhe sa herë kam menduar për një fëmijë, kam dashur gjithmonë të ishte yti. Vetëm me ty kam dashur ta kem, sepse e di që ti do të jesh një baba i mirë dhe sepse e di se nuk kam dashur dhe nuk do të dua asnjë, siç të dua ty. Unë të ndiej. Të ndiej gjithmonë, edhe kur ti nuk je i pranishëm. Nuk më ndodh kjo gjë me asnjë mashkull tjetër. Për asnjë nuk ndiej çfarë ndiej për ty. Do të të dua përherë”.

“Edhe unë të dua. Edhe unë dua që ti të jesh mamaja e fëmijës sim. Asnjë femër tjetër. Përndryshe nuk do të ishte fëmija im. Për një moment u frikësova se të kisha humbur, por tani që je këtu, e ndiej se nuk do të ndahemi asnjëherë. Të të takoja sërish, ka qenë gjëja më e bukur që më ka ndodhur. Të dua dhe do të dua përgjithmonë”.

U përqafuam dhe ndenjëm kështu për pak çaste. Më të bukura se vetë përjetësia, janë çastet e përjetësisë. Si ky. E pyeta nëse ishte e lumtur. Sytë e saj u bënë më të shndritshëm dhe një lot i zbriti në faqe; uli shikimin dhe m’u përgjigj: “Po, jam e lumtur”.

Lexo lajme interesante

You may also like