Klubet e Premier League-s kundër City, kërkojnë ndëshkim shembullor

by admin
Spread the love

Çështja Manchester City rrezikon të trazojë të ardhmen e Premier League.

Klubi anglez akuzohet se ka kryer operacione të paqarta në bilancet e tij duke thyer qindra rregulla, dhe krerët e kampionatit janë mbledhur me përfaqësuesit e 20 klubeve të Premier League për të diskutuar mbi të ardhmen.

Mes klubeve dominon pakënaqësia në lidhje me veprimet e Manchester City-t që ka angazhuar një ekip të madh avokatësh për tu mbrojtur ligjërisht. Mes kërkesave të 19 klubeve të tjera të kampionatit janë ato për dënime shembullore, mes të cilave dhe zbritja nga kategoria.

Fronti i tyre është i bashkuar, siç nuk ka qenë prej kohësh kundër Manchester City-t, dhe nëse operacionet e paligjshme financiare konfirmohen, kërkesa e përbashkët mund të mos mjaftohet me zbritjen në Championship, një kategori më poshtë, por mund të kërkohet që Cityzens ta rinisin nga divizionet inferiore.

Argumenti është delikat dhe ka të bëjë dhe me të ardhmen dhe besueshmërinë e Premier League. Për këtë arsye krerët e kampionatit në takimin me përfaqësuesit e skuadrave kanë folur në lidhje me cështjen e City-t.

Edhe pse opinionet e tyre në lidhje me Fair Play-n Financiar kanë qenë të ndryshme, klubet janë bashkuar kundër mënyrave të përdorura nga Manchester City në një mur të përbashkët, duke ngritur shqetësimin se si rregullat e kampionatit mund të shkelen në këtë formë pa patur konseguenca.

Shqetësimi ka të bëjë edhe mbi imazhin që ka produkti i Premier League jashtë vendit, pra ai i një kampionati të pastër, diçka që duhet ruajtur. Ndëshkimet e parashikuara pritet të jenë të rënda dhe shembullore, dhe ka nga ata që kërkojnë deri në përjashtimin e Manchester City-t nga të gjitha kampionatet. Në këtë rast me rregullat aktuale City Group do të duhej të rinisej nga fundi i piramidës së futbollit anglez.


Top Channel

You may also like