Klasat në shkollat fillore në Studeninçan të stërmbushura nga nxënësit

by admin
Spread the love

Në shkollën fillore ‘Naim Frashëri” të Komunës së Studeniçanit procesi mësimor po zhvillohet në tre turne për shkak të numrit të madh të nxënësve, shkruan Alsat.

Edhe pse, objekti shkollor ka kapacitet për tyë pranuar vetëm 1600 nxënës, për momentin në këtë shkollë mësojnë 1730 nxënës.

“Kemi mungesë të objektit shkollor, të hapësirave shkollore dhe jemi të detyruar të punojmë me tre ndërrime. Prej shtatorit me tre ndërrime punojmë. Si po e menaxhoni krejt këtë situatë? Është pak e vështirë por ja dalim disi, ndërrimi I tretë vendoset diku mes ndërrimeve dhe llogaritet ndërrimi i tretë. Në objektin shkollor ku zhvillohen tre ndërrime, ato paralele ato klasë, klasat e para i kanë orët më të shkurta”, tha Burak Aliu, sekretar i sh.f “Naim Frashëri” Studeniçan.

Mësimdhënësit thanë se stërngarkimi i klasave me nxënës nuk jep efikasitetin e duhur të realizimit të planprogramit mësimor ndërkohë që nuk arrihet ti kushtohet vëmendje secilit veçmas.

“Numri është jashtëzakonisht i madh dhe në një klasë kemi mbi 30 nxënës. Mendoj që nuk është ora efikase me të gjithë nxënësit njësoj. Për këtë arsye mendoj se Qeveria, ministria të kushtojnë rëndësi më të mëdha kësaj shkolle, ndaj këtyre vendbanimeve sepse me të vërtet kemi nevojë për hapësira më të mëdha. Me 40 minuta është rëndë ti kushtosh vëmendje çdonjërit edhe pse mundohemi po nuk mund të arrijmë”, u shpreh Fatmir Iseni, mësues i gjuhës angleze.

“Ne mundohemi me këto mundësitë që I kemi, mundohemi të japim maksimumin, 40 minuta janë pak ti kushtojmë vëmendje çdo nxënësi por ja dalim, disi ja dalim. Kemi suksese të mira sepse këtë vit shkollor edhe plan programet e reja kanë ndryshime por edhe praktika na e mundëson për çdo nxënës që shfaq interes shumë”, theksoi Nevzat Rushiti, mësues i Informatikës.

Kërkohet që nëpër klasë të mos ketë më shumë se 20 nxënës.

“Kur kemi orë mësimore është pak problem se arsimtarët nuk mund të komunikojnë me tërë nxënësit edhe kur kemi me nota duhet të mbajmë dy ose tre orë për me mbajt me nota”, tha një nxënëse.

“Mendoj se do të ishte më mirë të jemi më pak nxënës. Ka shumë raste kur fillojnë dhe pyesin me nota dhe pastaj bie zilja dhe shumë nxënës mbesin në gjysëm”, u shpreh një nxënës tjetër.

Drejtuesit e shkollës kujtojnë se në Ministrinë e Arsimit tashmë është dërguar kërkesë për zgjerimin e objektit por deri më sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

You may also like