Kjo luftë do ta ndryshojë fytyrën e Europës – Lajme

by admin
Spread the love

“Nuk ka nisur Lufta e tretë Botërore. Por situata është normalisht më serioze se pushtimet sovjetike të Hungarisë në 1956 dhe Çekosllovakisë në 1968”. Kështu e ka komentuar luftën aktuale istoriani dhe analisti politik Timothy Garton Ash në një kolumne për “The Guardian”. Si një nga intelektualët më me peshë në kontinent, Lajme e ka sjellë në shqip këtë kënvdështrim të tij që i sheh ngjarjet e sotme nga një perspektivë historike.

Timothy Garton Ash

A do të mësojmë ndonjëherë nga gabimet tona? Askush nuk e vrau mendjen për fuçinë e barutit, Balkanin e kohëve më parë, por më pas rezultoi se një atentat në Sarajevë ndezi Luftën e parë Botërore. Askush nuk u alarmua nga kërcënimet e Adolf Hitlerit ndaj Çekosllovakisë, duke e shpërfillur si një grindje në një vend të largët, dhe ajo çfarë pasoi ishte Lufta e dytë Botërore. Njëlloj nuk u interesua njeri, as për pushtimin e Polonisë në 1945 nga Josif Stalini dhe papritur bota e gjeti veten të përfshirë një Luftën e Ftohtë.

Mundësia që të tregojmë sa kemi nxënë nga gabimet e së shkuarës paraqitet përsëri dhee përsëri. Në 2014 presidenti rus pushtoi Krimenë. Pak u tha për këtë ngjarje. Dhe sërish, në 24 shkurt 2022, bota u gjend përballë realitetit brutal, e paaftë për t’u mbrojtur veçse me cikërrima të kota shprese.

Janë momente të tilla që nxjerrin në pah guximin, vendosmërinë, por edhe mençurinë. Ndoshta është e nevojshme një përzgjedhje më e kujdesshme e fjalëve. Nuk ka nisur Lufta e tretë Botërore. Por situata është normalisht më serioze se pushtimet sovjetike të Hungarisë në 1956 dhe Çekosllovakisë në 1968. Pesë luftërat e zhvilluara në ish-Jugosllavi në vitet 1990 ishin vërtet të tmerrshme, por rreziqet ndërkombëtare që rrodhën prej tyre nuk ishin të kësaj magnitude. Në Budapest kishte luftëtarë kurajozë që donin të mbronin vendin në vitin 1956, por gjendja në Ukrainë është krejt tjetër. Ukraina është një shtet i pavarur, sovran me një ushtri të madhe dhe një popull që deklarohet i vendosur për të rezistuar. Nëse ata nuk do t’i bëjnë ballë agresionit rus, do të pushtohen. Nëse rezistojnë, kjo mund të jetë lufta më e madhe në Evropë që nga viti 1945.

Në frontin përballë ukrainasve qëndron forca dërrmuese e një prej fuqive ushtarake më të forta në botë, me trupa të stërvitur dhe të pajisur mirë, si dhe rreth 6000 armë bërthamore. Rusia është shteti më i madh në botë që ka sfiduar ligjet ndërkombëtare. Vendi komandohet nga një president, i cili, gjykuar nga deklaratat dhe veprimet e tij histerike këtë javë, është larguar nga rruga e logjikshme, ashtu si bëjnë të gjithë diktatorët, herët a vonë. Më speifikisht: kur dha deklaratën e tij për fillimin e luftës të enjten në mëngjes, Putin kërcënoi këdo “që përpiqej ta pengonte” me “pasoja të pahasura kurrë në histori”. Pra, ai kërcënoi me luftë bërthamore.

Por, do të ketë një kohë për të reflektuar mbi të gjitha gabimet tona të së shkuarës. Nëse, duke filluar nga viti 2014, do të kishim marrë seriozisht ndihmën për mbrojtjen e Ukrainës, do të kishim reduktuar varësinë energjitike europiane nga Rusia, do të pastronim liqenet e ujërave të zeza të parave të pista ruse, që vërshonin në Londër dhe do të kishim vendosur më shumë sanksione ndaj regjimit të Putinit. Kështu do t’i kishim siguruar vetes një pozitë më të mirë. Por tashmë, na duhet të fillojmë të veprojmë nga pozicioni ku gjendemi.

Nën mjegullën e një lufte të sapofilluar, janë katër gjërat që Europa dhe pjesa tjetër e perëndimit duhet të bëjnë. Së pari, duhet të sigurojmë mbrojtjen e çdo centimetri të territorit të NATO-s, veçanërisht në kufijtë lindorë me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën, duke u ruajtur prej të gjitha formave të mundshme të sulmit, përfshirë këtu edhe ato kibernetike apo hibride. Për 70-vjet, siguria e vendeve të Europës Perëndimore është varur nga besueshmëria e premtimit “një për të gjithë dhe të gjithë për një” të nenit 5 të traktatit të NATO-s. Ju pëlqen apo jo, siguria shumëvjeçare e Londrës është tashmë e ndërthurur pazgjidhshmërisht me atë të qytetit Narva të Estonisë; atë të Berlinit apo Białystok në Poloni; me të Romës dhe të Kluzhit në Rumani, e kështu me radhë.

Së dyti, duhet t’u ofrojmë të gjithë mbështetjen e mundur ukrainasve, duke u treguar të kujdesshëm që të mos kapërcejmë pragun që do të sillte një luftë të drejtpërdrejtë mes Perëndimit dhe Rusisë. Ukrainasit që zgjedhin të qëndrojnë dhe të bëjnë rezistencë do të luftojnë me mjete ushtarake dhe civile për të mbrojtur lirinë e vendit të tyre, duke patur çdo të drejtë morale dhe ligjore për ta bërë këtë, njëjtë siç do të bënim ne për vendet tona. Në mënyrë të pashmangshme, një përgjigje e kufizuar e jona do të sjellë zhgënjim dhe hidhërim mes tyre. Emailet nga miqtë ukrainas flasin për vendosjen e një zone të ndaluar fluturimi nga ana e perëndimit, duke ua mohuar kështu avionëve rusë lëvizjen në hapësirën ajrore ukrainase. Por NATO nuk e bëri këtë. Ashtu si çekët në 1938, si polakët në 1945, si hungarezët në 1956, ukrainasit do të thonë: “Ju, bashkëkombasit tanë europianë, na keni braktisur”.

Ka ende masa që mund të marrim. Ne mund të vazhdojmë të furnizojmë me armë, informacione dhe pajisje të tjera, ata që përballen me legjitimitet me forcën e armatosur ruse. Po aq e rëndësishme në periudhën afatmesme, është qe të mund t’i ndihmojmë ukrainasit që të përdorin teknikat e provuara të rezistencës civile kundër një pushtimi rus dhe çdo përpjekjeje për të imponuar një qeveri kukull. Ne gjithashtu duhet të jemi gati për të ndihmuar ukrainasit e shumtë që do të largohen drejt perëndimit.

Së treti, sanksionet që do të vendosim ndaj Rusisë duhet të shkojnë përtej asaj që është planifikuar deri më tani. Përveç masave gjithëpërfshirëse ekonomike, duhet të dëbohen qytetarët rus të lidhur në një mënyrë ose tjetër me regjimin e Putinit.  Presidenti rus me rezervat e tij valutore prej 600 miliardë dollarësh, së bashku me dorën që shtrëngon rubinetin e gazit që duhet të shkojë drejt Europës, është i përgatitur, kështu që sanksionet do të kërkojnë kohë që të lënë pasoja dhe të ndihet efekti i plotë i tyre.

Në fund, do të duhet që vetë rusët të kthehen e të kundërshtojnë duke thënë: “Mjaft. Nuk duhet bërë e gjithë kjo në emrin tonë.” Shumë prej tyre, duke përfshirë edhe nobelistin Dmitry Muratov, kanë shprehur tmerrin që ndjejnë kundrejt luftës. Po kështu, gazetarja ukrainase, Nataliya Gumanyuk, ka shkruar fjalë prekëse për një gazetare ruse që qante në telefon me të, në momentin që tanket rusë hynin në Ukrainë. Llahtaria do të rritet atëherë kur kufomat e të rinjve rusë të bëhen stivë dhe kur lufta të fillojë të ketë impakt të ndjeshëm në ekonominë dhe reputacionin e Rusisë. Vetë rusët do të jenë viktimat e para dhe të fundit të Vladimir Putin.

E fundit, çështja më jetike, lidhet me përgatitjen për një luftë të gjatë. Do të duhen vite, ndoshta dekada që të lihen pas të gjithë pasojat e 24 shkurtit. Në plan afatshkurtër, perspektiva e Ukrainës është e zymtë. Në këtë moment, më vjen në mendje titulli i një libri që i kushtohet revolucionit hungarez të vitit 1956: “Fitorja e një dështimi”. Pothuajse të gjithë në Perëndim, janë njohur me faktin që Ukraina është një vend europian, i sulmuar dhe copëtuar prej një diktatori. Kievi sot është një qytet i mbushur me gazetarë të ardhur nga çdo skaj i botës. Kjo përvojë do të formësojë përgjithmonë pikëpamjet e tyre për Ukrainën. E kishim harruar, në vitet e iluzioneve tona të pasluftës së ftohtë, se kjo është mënyra se si kombet lënë gjurmët e tyre në hartën mendore të Europës: me gjak, djersë dhe lot.

Marrë nga Timothy Garton Ash: The Guardian/ Përktheu Paola Serianaj ©Lajme

 

 

Lexo lajme interesante

You may also like