KIEV – Zelensky u bën thirrje ushtarëve rusë të largohen nga vendi ose të dorëzohen

by admin
Spread the love

KIEV, 31 gusht /ATSH-AA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka kërkuar ushtarëve rusë që të ikin nga Ukraina për të shpëtuar jetët e tyre pasi për ta ka vetëm dy opsione, të ikin ose të dorëzohen.

Pas një periudhe të gjatë sulmesh ajrore, Ukraina të hënën njoftoi se forcat e saj tokësore nisën një ofensivë për të rimarrë pjesën jugore të vendit.

Rusia, e cila nisi “operacionin e saj special ushtarak” në Ukrainë më 24 shkurt, pretendon se ka zmbrapsur sulmet duke i shkaktuar humbje të mëdha palës ukrainase.

Zelensky përmes një postimi në Telegram të martën shkroi se forcat ukrainase po bëjnë gjithçka që forcat ruse të “ndiejnë përgjigjen ukrainase” ndaj “terrorit të tyre të tmerrshëm”.

“Në të gjithë territorin e pushtuar përkohësisht të Ukrainës, nga rajoni i Krimesë deri në Kharkiv, ushtria ruse nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë bazë të sigurt, asnjë vend të qetë”, shtoi ai.

“Mbrojtësit tanë do të shkatërrojnë të gjitha depot, shtabet dhe pajisjet e pushtuesve, kudo që të ndodhen. Kjo është toka ukrainase dhe pushtuesit kanë vetëm dy zgjidhje, të ikin ose të dorëzohen. Nuk u lëmë alternativa të tjera”, tha presidenti ukrainas.

Ai u bëri thirrje njerëzve në Krime, e cila u aneksua nga Rusia në vitin 2014, që “të qëndrojnë larg objekteve ushtarake ruse, të mos qëndrojnë pranë bazave ruse dhe aeroporteve ushtarake, të informojnë shërbimet speciale të Ukrainës për të gjitha informacionet që dinë për pushtuesit, ashtu që çlirimi i Krimesë të ndodhë më shpejte”.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like