KIEV, 4 shtator /ATSH-DPA/- Lufta në Ukrainë nuk mund të kalohet në plan të dytë, tha sot kryeministri irlandez, Simon Harris gjatë një vizite në Kiev.
Deklarata e tij erdhi pasi një nënë dhe tre vajzat e saj u identifikuan mes shtatë të vrarëve pas një sulmi rus në Lviv.
Harris, i cili kishte udhëtuar në Lviv me një tren disa orë më parë, i përshkroi vrasjet si “sulme të egra terroriste nga Rusia”.
Ai tha se sulmet ndaj infrastrukturës civile dhe shtëpive nga Rusia po bëheshin një “dukuri shumë e rregullt dhe ndonjëherë e përditshme”.
“Kjo luftë, ky terrorizëm, kjo barbarizëm po vazhdon ende në Evropë dhe në një vend që dëshiron të jetë, dhe unë dëshiroj të jem, një anëtar i Bashkimit Evropian”, tha Harris për gazetarët.
Kjo erdhi pasi presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky shprehu mirënjohjen ndaj Irlandës për mbështetjen e vazhdueshme financiare.
Harris nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Zelensky pas një takimi dypalësh në zyrën e liderit ukrainas.
Kryeministri irlandez njoftoi gjithashtu detaje të një pakete financimi prej 36 milionë eurosh për organizatat që punojnë në Ukrainë dhe vendet fqinje.
Vizita e tij vjen një ditë pasi 53 persona u vranë dhe 200 të tjerë u plagosën – kur dy raketa balistike ruse goditën një strukturë ushtarake dhe spital në Poltava, rreth 320 kilometra në juglindje të Kievit.
Sulmet erdhën pasi forcat ukrainase u përpoqën të siguronin territorin në rajonin kufitar të Kurskut të Rusisë – pas një inkursioni të befasishëm që nisi muajin e kaluar – dhe ndërsa ushtria ruse vazhdon të avancojë në Ukrainën lindore. //a.i/