Kërcënimi me vrasje ndaj Dick Martyt, politikani zviceran thirrje Vuçiqit: Ndaloni nxitjen e dhunës dhe urrejtjes

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Pas informacioneve se ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, është kërcënuar me vdekje nga elementë radikalë të shërbimeve inteligjente serbe, ka reaguar politikani zviceran Cédric Wermuth.

Wermuth ka shkruar në Facebook se tentimin për vrasjen e Martyt nga Serbia dhe më pas t’u lihet faji shqiptarëve e ka quajtur të papranueshme.

“Por kjo është e papranueshme: shteti serb u përpoq ta vriste Martin dhe fajësojë ish-luftëtarët e UÇK-së”, ka thënë ai.

Sipas Wermuth, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq po përpiqet në mënyrë agresive të mbjellë urrejtje dhe dhunë në rajon dhe ta ndajë Kosovën nga Evropa.

Ai ka shtuar se Kosova është shtet i pavarur dhe Serbia bashkë me Vuçiqin duhet ta pranojnë këtë realitet.

“Më lejoni të jem shumë i qartë: ne nuk do ta lejojmë këtë. Pres që qeveria zvicerane dhe Evropa të jenë shumë të qarta me Vuçiqin: Mos ndërhyni në të drejtën e Republikës së Kosovës për vetëvendosje. Kosova është shtet i pavarur, pranoje. Ndaloni nxitjen e dhunës dhe urrejtjes”, ka shkruar po ashtu Ëermuth.

Masat mbrojtëse, sipas 24heures.ch, përfshijnë mbrojtjen e afërt gjatë paraqitjeve në hapësira publike ose masa teknike të mbrojtjes në shtëpi.

Në një intervistë për emisionin “Mise au point” të televizionit zviceran RTS, Dick Marty ka thënë se ka marrë informacione se ai është në shënjestër për t’u likuiduar dhe se ky kërcënim, sipas tij, vjen nga qarqe të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilat kanë kërkuar nga vrasës profesionistë për ta vrarë e për t’ua hedhur pastaj fajin ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Ndryshe, ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Gjykata Speciale është ngritur në bazë të këtyre krimeve të pretenduara.

You may also like