Kemi pasur mospajtime, por kontributi i tyre është i pamohueshëm – Shqip

by admin
Spread the love

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se në fillim të kësaj jave ka vizituar ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Ai u shpreh i lumtur që i ka gjetur mirë dhe siç tha ai, të mbushur me idealizëm.

“Në fillim të kësaj jave vizitova ish krerët e UÇK-së dhe drejtuesit e institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës për një kohë të gjatë dhe shumë të rëndësishme të shtetndërtimit, Presidentin Hashim Thaçi, dhe kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, të cilët po mbahen bashkë me luftëtarë tjerë në paraburgim në Hagë. Më gëzoi fakti që i gjeta mirë, të mbushur me idealizëm; të bindur në pafajësinë e tyre dhe luftën e drejtë të UÇK-së, të gatshëm për të mbrojtur të vërtetën”, ka shkruar ai.

>

Ai tha se është e pamohueshme trimëria dhe kontributi i tyre siç u shpreh Mustafa, në mbrojtjen e popullatës në zonat më të ashpra të luftës.

“Mund të jem pajtuar apo të mos jem pajtuar me njërin apo tjetrin për konceptet partiake e të qeverisjes ,por është e pamohueshme trimëria dhe kontributi i tyre në mbrojtjen e popullatës në zonat më të ashpra të luftës dhe zëdhënien për masakrat çnjerëzore nga ushtria dhe shteti i Millosheviçit, ashtu siç është i pamohueshëm edhe kontributi për paqe në Konferencën e Rambujesë, në transformimin e UÇK-së menjëherë pas lufte, në negociatat e Vjenës për shtet të pavarur, në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike. Uroj që nga ky proces, që u iniciua nga konstruksionet e rrejshme ruse-serbe në Raportin e Dick Martit, të fitojë drejtësia”, ka shkruar ai.

Ndryshe, sot janë bërë 2 vjet që nga arrestimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale.

You may also like