KE propozon pezullimin e marrëveshjes për lehtësimin e vizave me Rusinë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Pavarësisht se nuk ka pasur gatishmëri nga të gjitha shtetet anëtare të bllokut për të ndalur dhënien e vizave për qytetarët e Rusisë, ky proces për ta pritet të bëhet më i vështirë.

Kjo pasi Komisioni Evropian më 6 shtator propozoi pezullimin e plotë të marrëveshjes për lehtësimin e vizave mes Bashkimit Evropian dhe Federatës Ruse.

Ky propozim i KE-së, që u miratua të martën, është në linjë të njëjtë me atë që ishin marrë vesh ministrat e Jashtëm të BE-së gjatë takimit joformal që u mbajt javën e kaluar në Pragë të Republikës Çeke.

“Shtetet si Rusia, që bëjnë agresion dhe luftë, nuk do të duhej të kualifikoheshin për lehtësim të vizave përderisa vazhdon të zbatojë politikë destruktive të jashtme dhe agresion ushtarak ndaj Ukrainës, duke demonstruar mospërfillje të rendit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.

Pezullimi i marrëveshjes, sipas Komisionit Evropian, është edhe përgjigje ndaj kërcënimeve të sigurisë të bllokut dhe interesave të tij si dhe shteteve anëtare si rezultat i pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.

Pezullimi nënkupton se shtetasit e Rusisë nuk do të mund të llogarisin më në qasje të privilegjuar në BE dhe do të përballen me një proces më të gjatë për marrjen e vizave, më strikt dhe do të paguajnë më shtrenjtë për viza.

Në njoftimin e KE-së thuhet se “BE-ja do të mbetet e hapur për disa kategori të qytetarëve të Rusisë që udhëtojnë për nevoja esenciale, përfshirë ata që kanë anëtarë të familjes në BE, gazetarët, disidentët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile”.

Komisionerja e BE-së për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson, duke përsëritur se Rusia e ka shkelur parimin e mirëbesimit dhe themelet e së drejtës ndërkombëtare me agresionin ndaj Ukrainës dhe krimet e pretenduara të luftës që forcat e saj po bëjnë atje, tha se vendimi i sotëm është dëshmi e unitetit të BE-së përballë sjelljes agresive të Moskës.

“Propozimi i sotëm është përgjigje e fuqishme dhe e përbashkët e BE-së. Së shpejti do të dalim me udhëzime se si të forcojmë masat e kontrollit për kërkesat për viza nga qytetarët e Rusisë dhe po ashtu edhe kontrollin e vendkalimeve kufitare, pa e shkëputur veten nga disidentët në Rusi dhe shoqëria civile” , tha Johansson.

Nga disa shtete të BE-së, sidomos nga Polonia dhe vendet Baltike, ka pasur propozim që blloku evropian të ndalojë tërësisht lëshimin e vizave për qytetarët e Rusisë.

Por, një masë e tillë nuk ka marrë mbështetjen e disa vendeve, që i kanë cilësuar si “kundërproduktive” dhe që do të mund të forconte regjimin e presidentit Vladimir Putin në Rusi, nëse të gjithë qytetarëve rusë do t’u ndalohej hyrja në BE.

Si kompromis, vendet anëtare janë pajtuar që të pezullohet marrëveshja e lehtësimit të vizave, që do ta bëjë marrjen e vizave për qytetarët rusë./rel


Top Channel

You may also like