Katër të arrestuar për terrorizëm në “vendin më paqësor në botë” – Shqip

by admin
Spread the love

Nuk dihen motivet e të arrestuarve që kishin armë dhe mijëra plumba – Në vendin e vogël të veriut evropian incidentet e dhunës janë shumë të rralla

Policia islandeze njoftoi të enjten se kishte arrestuar katër persona gjatë një operacioni në shkallë të gjerë të lidhur me përgatitjen e një “akti terrorist”. Këto janë arrestimet e para të kësaj natyre në historinë e shtetit të vogël ishullor.

“Operacionet e djeshme policore janë pjesë e një hetimi për përgatitjen e një sulmi terrorist”, u tha gazetarëve shefi i policisë së Islandës.

Disa armë gjysmë automatike – disa me pjesë të printuara me printera 3D – u sekuestruan në nëntë vende të veçanta, si dhe “mijëra plumba”, sipas policisë.

Katër islandezë, të gjithë rreth të njëzetat, u arrestuan në një periferi të kryeqytetit Reykjavik dhe në qytetin e Mosfelsberg (në jugperëndim) gjatë operacionit të mërkurën, ku përfshiheshin rreth 50 oficerë policie. Dy nga të dyshuarit u është caktuar masa e paraburgimit të enjten.

Motivet e tyre nuk dihen aktualisht. Objektivat ishin “institucione të ndryshme” dhe “qytetarë të shtetit”, sipas policisë. Mes objektivave besohet se ka qenë Parlamenti dhe ndoshta vetë policia.

Autoritetet vunë në dukje se po përpiqen të konstatojnë nëse ka ndonjë lidhje midis atyre dhe organizatave ekstremiste, duke shtuar se ata janë në kontakt me shërbimet e sigurisë jashtë vendit.

“Me sa dimë, kjo është hera e parë që kryhet një hetim i kësaj natyre” në Islandë, tha shefi i policisë.

Vendi i vogël me 375,000 banorë është renditur i pari në indeksin global të paqes që kur u përfshi në listë në vitin 2008 dhe përshkruhet si “vendi më paqësor në botë”.

Incidentet e dhunshme atje janë jashtëzakonisht të rralla, siç dëshmohet nga shkalla e krimit, e cila është ndër më të ulëtat në botë, ndonëse rishfaqja e dhunës në vitet e fundit ka shqetësuar autoritetet. /tesheshi.com/

 

 

Lexo lajme interesante

You may also like