Kasami nga Besëlidhja e Lezhës: Pllaka Dardanus e dëshmon autoktoninë tonë në trojet shqiptare

by admin
Spread the love

Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami sot ka qenë i pranishëm në shënimin e 579 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. Kasami ka qenë ndër mysafirët e tij ku përkrah tij ishin kryetar të komunave tjera dhe personalitete publike.

Kasami në fjalën e tij theksoi se trajektorja e historisë shqiptare, e bashkimit dhe e afirmimit të idesë së shtetit shqiptar në periudhën e mesjetës ka për zanafillë Kuvendin e Lezhës

“Kuvendi i Lezhës si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare rrumbullakonte praninë e shqiptarëve në histori që nga antikiteti ilir, si një vazhdimësi mbijetese dhe rezistence të përhershme. Kjo trashëgimi antike e shqiptarëve, këtyre ditëve është dëshmuar edhe nëpërmjet gërmimeve arkeologjike në Skupin e lashtë, që tashmë po vërtetohet nëpërmjet pllakës mbivarrore Dardanus si prani e padiskutueshme në antikitetin e vonë, por edhe si kontinuitet historik autoktonie”, ka nënvizuar kreu i Tetovës.

Ja fjalimi i plotë:

Trajektorja e historisë shqiptare, e bashkimit dhe e afirmimit të idesë së shtetit shqiptar në periudhën e mesjetës ka për zanafillë Kuvendin e Lezhës, këtë parlament të hershëm shqiptar që i jep kuptim gjithë ekzistencës së kombit shqiptar në periudhat e mëvonshme. Kuvendi i Lezhës është themeli i identitetit etnik, kulturor dhe politik të shqiptarëve në rrugën e trazuar të historisë. Është pika ndriçuese që ka përndritur gjithë përpjekjen e shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre në rrethana të përhershme sundimi dhe pengesash të shumta në rrugën e afirmimit të identitetit kombëtar.

Kuvendi i Lezhës përfaqëson vetëdijen e kristalizuar kombëtare dhe politike për shtet dhe përgjithësisht për mëvetësi në rrugën e historisë, përfaqëson përpjekjen e vazhdueshme të shqiptareve si entitet i veçantë etnik dhe kulturor në rrjedhën e historisë. Ky kuvend për më tepër është shprehje e vullnetit përbashkues të princërve shqiptarë, të fisnikëve, të cilët me Besëlidhjen e Lezhës shpërfaqën vullnetin e pakontestueshëm për mëvetësi shtetërore në periudhën, që tashmë në historinë shqiptare, por edhe atë botërore njihet si Periudha Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Padiskutim Kuvendi i Lezhës si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare rrumbullakonte praninë e shqiptarëve në histori që nga antikiteti ilir, si një vazhdimësi mbijetese dhe rezistence të përhershme. Kjo trashëgimi antike e shqiptarëve, këtyre ditëve është dëshmuar edhe nëpërmjet gërmimeve arkeologjike në Skupin e lashtë, që tashmë po vërtetohet nëpërmjet pllakës mbivarrore Dardanus si prani e padiskutueshme në antikitetin e vonë, por edhe si kontinuitet historik autoktonie.

Ne, sot, në këtë shënim të përvjetorit të Kuvendit të Lezheës, edhe njëherë ripërsërisim angazhimin tonë të përhershëm për të komunikuar dhe për të bashkëpunuar brenda hapësirave shqiptare. Pikërisht në frymën e Kuvendit të Lezhës, para nesh shtrohet domosdoshmëria e frymës përbashkuese të bashkëpunimit si një përpjekje për të lëvizur përpara shqiptarët drejt progresit të gjithmbarshëm në të gjitha hapësirat ku jetojnë.

Në madhështinë e kësaj feste, ne të gjithë së bashku, shfaqim gatishmërinë tonë për të qenë në lartësinë e kësaj ngjarjeje, duke kultivuar komunikimin mes shqiptarëve, duke afirmuar vizionin e përbashkët për të punuar në rrugën e integrimit dhe përvetësimit të vlerave më të mira evropiane. Pikërisht ky vizion, na mundëson që të jemi pranë njëri-tjetrit, të bashkuar dhe të përkushtuar në kultivimin e vlerave më të mira kombëtare dhe evropiane.

Kuvendi i Lezhës mbetet mesazh i madh historik i frymës përbashkuese shqiptare dhe ne sot po e dëshmojmë këtë nëpërmjet komunikimit dhe bashkëpunimit tonë. Padiskutim është një nder i madh të jesh pjesë e këtij përvjetori. Uroj që gjithmonë të jemi në lartësinë e kësaj frymë dhe të vlerave më të mirëqena, të cilat synojmë t’i kultivojmë pandërprerë në hapësirat tona. FALEMINDERIT!“- tha ai.

You may also like