Kardiologët invazivë hyjnë në grevë pesëditore, ShSKUK-ja s’e komenton (VIDEO)

by admin
Spread the love

Kardiologët invazivë kanë hyrë në grevë përgjatë krejt kësaj jave, grevë kjo e cila ka nisur të hënën, kështu duke pezulluar gjithçka, pos rasteve urgjente dhe të hospitalizuarve.

Madje, jozyrtarisht, televizioni merr vesh se njëri nga kardiologët, gjatë së hënës, u tentua të pengohej nga invazivët për të hyrë në sallën e kateterizimit, gjë që nuk u komentua nga shefat e rinj të emëruar në këtë njësi, Daut Gorani dhe Shpend Elezi, sikurse as nga ShSKUK.

Derisa, nga Federata Sindikale e Shëndetësisë thanë se veprimet nga ana e tyre nuk mund të jenë të anshme, dhe se krejt çfarë mund të bëjnë në këtë situatë është t’u mundësojnë një dialog social lidhur me shqetësime dhe ofrim të asistencës juridike.

Kjo ngase, siç thotë kryetarja e FShSK-së, Tevide Imeri, të dy njësitë janë anëtare të kësaj federate sindikale.

E njëjta bëri me dije se për këtë çështje shumë shpejt do ta kenë edhe një takim me kreun e shëndetësisë, Rifat Latifin.

Ndërkaq, kardiologët invazivë po e kundërshtojnë statutin e ri, ku këtë njësi e rikthen te kardiologjia dhe e shkëput nga kardiokirurgjia, vendim të cilin e kanë cilësuar të paligjshëm që do të ndikojë në shërbime dhe në kontratat e tyre të punës.

Megjithatë, televizioni ka siguruar kontratat e punës së 12 kardiologëve invazivë, kontrata këto që janë të llojllojshme dhe me emërtime të ndryshime të klinikave.

Bile, shtatë nga këta, punën e kishin nisur tek në verën e 2019-ës në Klinikën e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive.

 

You may also like