Kapllani: Një barazim që vlen sa një fitore! Ky Erzen do të vazhdojë të ecë përpara

by admin
Spread the love

Trajneri i Erzenit, Xhevahir Kapllani ka folur për Oversport pas barazimit përballë Partizanit, të arritur në sekondat e fundit të sfidës.

“Golat në fund janë njësoj si një fitore. E nisëm mirë lojën dhe arritëm të shënonim. Më pas gabuam te goli i Partizanit. Loja mori rrjedhën e vetë. Partizani është një ekip i fortë, patëm edhe ne momentet tona. Pjesën e dytë e nisëm shumë keq dhe pësuam dy gola. U hodhëm në sulm, bëmë dy tre lëvizje dhe reaguam. Partizani mund të shënonte edhe golin e katërt, por ne besuam deri në fund dhe falënderoj çunat dhe zotin për këtë pikë të fituar.

Ky barazim në minutat e fundit do të na shërbejë shumë për karakterin që ka kjo skuadër. Ne jemi në luftë për mbijetesë deri në fund, pasi skuadrat janë shumë pranë. Ne jemi me këmbë në tokë, të punojmë sa më shumë dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë.

Pikë e falur nga Partizani? Jam shumë i gëzuar për pikën. Partizani gaboi në fund, por edhe ne i bëmë disa dhurata Partizanit në fillim të pjesës së dytë. Besojmë se mund të ruajmë këtë ritëm, sepse çunat po paraqiten mirë. Lufta është e egër, por ne e dimë çfarë kërkojmë. Lojtarët kanë filluar të duan fanellën, na kanë munguar edhe tifozët, por besoj se do të ecim përpara me këto rezultate”, ka thënë trajneri i Erzenit. / Oversport.tv

You may also like