Kaos në Twitter, pas pushimit nga puna, ish-punonjësit e padisin në Gjykatë

by admin
Spread the love

Të enjten në mbrëmje, të gjithë punonjësit e Twitter morën një email ku shkruhej se do të informoheshin për statusin e tyre të punësimit në orën 9:00 paradite të së premtes. Çdo email u dërgua me objektin “Roli juaj në Twitter”.

Nëse punonjësit do të qëndronin në punë, do të njoftoheshin nëpërmjet email të punës – ndryshe, do të njoftoheshin në një adresë personale.

Konfirmimi i shkurtimit të numrit të punonjësve vjen një javë pasi Elon Musk u bë pronari i ri i Twitter dhe nisi me shpejtësi të ndryshojë mënyrën se si kompania vepron dhe strategjinë produkteve. Prej atëherë, spekulimet mbi kohërat dhe numrin e punonjësve që do të pushoheshin nga puna u shumëfishuan brenda Twitter.

Sipas njoftimit të brendshëm, punonjësit do të merrnin një email, që do të konfirmonte nëse janë pushuar ose jo nga puna, duke treguar se aksesi nëpërmjet badge i punonjësve brenda zyrave të Twitter do të ndërpritet “përkohësisht”.

“E kuptojmë se bëhet fjalë për një situatë të vështirë për t’u përballuar, pavarësisht faktit nëse jeni pushuar nga puna ose jo” – lexohet në email. “Ju falënderojmë që keni vijuar të respektoni politikat e Twitter, që ju ndalojnë të diskutoni informacione të rezervuara të kompanisë në rrjetet sociale, me mediat apo diku tjetër”.

Edhe pse nuk saktësohet se sa punonjës do të humbin vendin e punës, Musk, njeriu më i pasur mendohet se do të pushojë nga puna rreth gjysmën e punonjësve (3700) në Twitter, që arrin rreth 7500 persona.
Shkurtimi i stafit është pjesë e nismës së Musk për të reduktuar kostot e Twitter.

Në qershor, para se të përpiqej të tërhiqej nga marrëveshja për blerjen e Twitter, Musk u pati thënë punonjësve: “Në këtë moment, kostot kapërcejnë të ardhurat. Kjo nuk është një situatë e bukur. Duhet të bëhet një racionalizim në organikën e stafit dhe shpenzimeve në mënyrë që të ardhurat të jenë më të larta se kostot. Ndryshe Twitter nuk është fitimprurës dhe nuk mund të rritet”.

Pas njoftimit për pushimin nga puna, një grup ish-punonjësish të Twitter paraqitën një padi në Gjykatën e San Francisko kundër kompanisë së Elon Musk, duke e akuzuar se nuk kanë marrë një paralajmërim brenda 60 ditësh sipas ligjit dhe kanë mësuar për shkarkimin e tyre dje kur panë llogaritë e tyre të bllokuara. Kjo bëhet e ditur nga mediat amerikane.

Shumë punonjës nisën të publikojnë në mediat sociale se nuk kishin më akses në llogaritë e tyre, duke zbuluar se ishin pushuar nga puna.

Pas lajmit të shkurtimit të stafit, rrjeti social njoftoi edhe anulimin e konferencës Chirp kushtuar zhvilluesve.

Konferenca do të zhvillohej në San Francisko më 16 nëntor. Në një tweet në account-in zyrtar për zhvilluesit, Twitter Dev, shkruhet se kompania “po punon që ta bëjë Twitter një vend më të mirë për të gjithë, duke përfshirë edhe zhvilluesit”, duke premtuar se do të publikojë së shpejti lajme për planet e së ardhmes.

Amir Shevat, drejtues i produkteve për zhvilluesit në Twitter, shkroi: “Erëra ndryshimesh”.

Pikërisht Shevat pati njoftuar në qershor konferencën Chirp në nëntor, duke shpallur një konkurs për projektet më krijuese që lidhen me kodin Twitter, fituesit e të cilit do të zbuloheshin në takimin në San Francisko.

The post Kaos në Twitter, pas pushimit nga puna, ish-punonjësit e padisin në Gjykatë appeared first on Revista Monitor.

You may also like