Kampionët bien në “Kukës Arena”, Bylisi fiton “betejën” me Kastriotin

by admin
Spread the love

Tirana del pa pikë nga sfida e javës së 19-të të Kategorisë Superiore, në transfertë përballë Kukësit, duke ndalur serinë e fitoreve radhazi (3), që e ngjitën në vendin e parë.

Kampionët në fuqi u kthyen të mposhtur nga “Kukës Arena”, ku vendësit siguruan suksesin e gjashtë sezonal (plus katër barazime), që i ngjit në vendin e tetë, edhe më pranë grupit të skuadrave që garojnë për zonën Champions.

Skuadra verilindore, më këmbëngulëse në lojën e saj, realizoi nga një gol në çdo pjesë, duke e ruajtur rrjetën të paprekur. Në minutën 35-të, në zhvillimet e një goditjeje këndi, Oppong shtyn topin me kokë drejt rrjetës, i shërbyer nga Mbarak.

Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e vendësve, që e gjetën edhe golin e sigurisë, me anë të Bytyqit, që realizoi po me kokë në minutën e 58-të. Kaq mjaftoi që Kukësi të merrte një fitore të pastër 2-0 që ngre moralin për të synuar zonën europiane.

Ndërkohë përplasja e mbijetesës mes Bylisit dhe Kastriotit, e zhvilluar në “Adush Muça”, u mbyll me fitoren minimale të vendësve falë golit të shënuar nga Doi në minutën e 75-të. Një sfidë me jo pak tension në Ballsh, çka reflektohet edhe nga kartoni i kuq i marrë nga trajneri i Bylisit, Shensoi. Kastrioti me këtë disfatë mbetet në vendin e fundit me 19 pikë, ndërsa tri pikët e fituara e ngjisin Bylisin në vendin e shtatë me 23 pikë.


Top Channel

You may also like