Kampionati i vajzave/ Java e pestë sjell përballje interesante, ja axhenda e plotë

by admin
Spread the love

Kampionati i futbollit të vajzave do të ezaurojë javën e pestë këtë fundjavë, teksa ndeshjet do të luhen të ndara në dy ditë. Kjo javë rezervon takime shumë interesante, duke nisur me Apolonia – Teuta, që do të jetë edhe sfida hapëse e kësaj jave të pestë, e planifikuar për t’u luajtur të shtunën në ora 12:00 në Fier. Apolonia do të luajë vetëm për 3 pikët në shtëpi, teksa vjen në këtë ndeshje pas fitores së rëndësishme ndaj Laçit në transfertë, ndërsa Teuta u mund javën e kaluar nga Kinostudio në shtëpi.

Ndërkaq, sfida tjetër e së shtunës është ajo mes Vllaznisë dhe Partizanit, një duel shumë interesant e që do të transmetohet drejtëpërdrejtë dhe falas në kanalin zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit në Youtube. Të kuqet do të udhëtojnë drejt Shkodrës, teksa sfida është planifikuar të nisë në ora 12:00 dhe do të luhet në ‘Reshit Rusi’. Në javën e kaluar, Partizani u mund në minutat e fundit nga Tirana në shtëpi, ndërsa Vllaznia nuk njeh humbje në këto katër javë kampionat dhe nuk ka pësuar asnjë gol.

Të dielën do të zhvillohen edhe tre sfidat e tjera të javës së pestë. Tirana do të presë në shtëpi Laçin, një ndeshje e lehtë në letër për vajzat bardheblu që e kanë nisur shumë mirë kampionatin dhe kërkojnë të vijojnë me këtë ecuri pozitive. Sakaq, Laçi nuk e ka bërë ende ‘sefte’ këtë sezon, teksa do të tentojë të bëjë surprizën në kompleksin ‘Skënder Halili’.

Në dy ndeshjet e tjera të së dielës, Kukësi do të presë në shtëpi Skënderbeun, me përballjen që nis në ora 13:00 e që me siguri do të jetë e luftuar nga të dyja ekipet që do të kërkojnë të marrin vetëm tre pikët. Nga ana tjetër, sfida Kinostudio – Lushnja do të ulë siparin e javës së pestë.

Kryeqytetaset do të tentojnë fitoren e dytë radhazi, pas fitores ndaj Teutës në transfertë javën e kaluar, ndërsa Lushnja ende nuk ka marrë një rezultat pozitiv në këto katër javë. Gjithçka do të përcaktohet të dielën, në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare, në Kamëz, në ora 14:00.

Ndeshjet e javës së pestë në kampionatin e vajzave:

Apolonia-Teuta, e shtunë, ora 12:00

Vllaznia-Partizani, e shtunë, ora 14:00

Tirana-Laçi, e diel, ora 12:00

Kukësi-Skënderbeu, e diel, ora 13:00

Kinostudio-Lushnja, e diel, ora 14:00

You may also like