Kampionati I vajzave/ Bilanci i fazës së parë, Vllaznia kryeson me pikë të plota

by admin
Spread the love

Kampionati i futbollit të vajzave ka ulur siparin për vitin 2022 dhe do të rikthehet sërish në muajin shkurt të vitit të ardhshëm me emocione dhe shumë spektakël. Në muajin janar do të zhvillohen ndeshjet e Kupës së Shqipërisë për vajza, kompeticioni i dytë më i rëndësishëm pas kampionatit, ku 10 skuadra janë në garë për të fituar këtë titull të rëndësishëm.

Për t’u rikthyer te kampionati i këtij edicioni futbollistik, ka përfunduar tashmë faza e parë dhe objektivat e të gjitha skuadrave janë bërë më të qarta. Vllaznia është shpallur edhe në këtë sezon futbollistik kampione e dimrit, duke konfirmuar se mbetet ekipi favorit për të fituar titullin e dhjetë kampion. Shkodranet kanë zhvilluar një kampionat të shkëlqyer deri më tani, duke marrë 27 pikë në nëntë ndeshje të zhvilluara e duke mos pësuar asnjë humbje, ndërsa kanë arritur të shkëputen tashmë të vetme në majën e renditjes. 55 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar, ky është bilanci i vajzave të Vllaznisë këtë sezon, që veç kampionatit, kanë qenë të angazhuara edhe në Champions League, ku për herë të parë u kualifikuan në grupet e kompeticionit europian e duke shkruar kështu historinë.

Edhe pse ka vetëm 3 vite që militon në kampionatin e vajzave, Tirana ka qenë surpriza e këtij edicioni futbollistik. Vajzat bardheblu kanë zhvilluar një fazë të parë shumë të mirë, ku në nëntë ndeshje kanë humbur vetëm një, atë ndaj Vllaznisë në shtëpi, teksa kanë fituar tetë të tjerat. Kryeqytetaset renditen në vendin e dytë me 24 pikë, 3 më pak se Vllaznia e vendit të parë, ndërsa kanë gjetur rrjetën plot 54 herë, ndërsa kanë pësuar 9 gola.

Një pretendente shumë e fortë në kampionat është edhe Apolonia. Pavarësisht dy humbjeve, fieraket kanë treguar karakter në këtë edicion dhe renditen në vendin e tretë me 21 pikë. Apolonia është mundur nga Tirana dhe Vllaznia në këtë fazë të parë, ndërsa 7 ndeshjet e tjera i ka fituar me goleada, duke realizuar plot 52 gola, dy më pak se Tirana e vendit të dytë dhe tre më pak se Vllaznia, ndërsa ka pësuar gjashtë gola. Edhe pse renditen në vendin e tretë, ambicia e fierakeve është edhe për këtë sezon të luftojnë për titullin kampion.

Ekipi tjetër kryeqytetas, Partizani, ka pasur një fazë të parë plot ulje-ngritje, ku në nëntë javë ka arritur të grumbullojë 16 pikë, me një bilanc prej 5 fitoresh, 1 barazimi dhe tre humbjesh. Edhe pse është larg asaj që pritej, sërish vajzat e kuqe të kryeqytetit janë në garë për të qenë në “Top 3” e këtij sezoni, teksa aktualisht renditen në vendin e katërt.

Në ndjekje të Partizanit është skuadra tjetër kryeqytetase, Kinostudio që ka zhvilluar një sezon të mirë futbollistik, duke siguruar vendin e pestë e duke u renditur në mesin e artë pas mbylljes së fazës së parë. 5 fitore, 4 humbje dhe asnjë barazim, 15 pikë të grumbulluara në total, ky është bilanci i Kinostudios pas fazës së parë.

Teuta, Laçi e Kukësi janë skuadrat që renditen në vendin e 6-7-8 dhe kanë zhvilluar një fazë të parë jo shumë të mirë, duke qenë larg kreut të klasifikimit. Skënderbeu e Lushnja po kalojnë një moment të vështirë. Korçaret kanë marrë vetëm një fitore në këtë fazë të parë, ndërsa Lushnja renditet në vendin e fundit pas 9 javësh me asnjë fitore e barazim, por duke i humbur të gjitha ndeshjet.

Një fazë e parë shumë emocionuese, teksa pritet me kërshëri edhe faza e dytë e kampionatit, nëse Vllaznia e vajzave do të sigurojë titullin e 10-të kampion, apo Tirana e Apolonia do t’i bëhen ‘pengesë’ këtë edicion futbollistik.

Kujtojmë që nga fillimi i këtij sezoni, Federata Shqiptare e Futbollit ka transmetuar falas ndeshjen më të rëndësishme të javës në kanalin e saj zyrtar në Youtube, duke i afruar më shumë tifozët me futbollin e vajzave dhe magjinë e tij. Me nisjen e fazës së dytë, Federata e Futbollit do të vijojë me transmetimin e ndeshjeve falas çdo javë në Youtube, për të përjetuar emocionet e kampionatit të futbollit të vajzave.

 

You may also like