Kamera e re 3,200 megapiksel emocionon astronomët!

by admin
Spread the love

Të dyja lentet, së bashku me kapakun e tyre të madh, si dhe rrafshin e fokusit, kanë hyrë në Librin e Rekordeve Botërore Guinness

 

Kamera dixhitale më e madhe në botë më në fund po merr vëmendjen e merituar. Megjithëse edhe një aparat fotografik personal shumë i fuqishëm mund të ketë një rezolucion megapiksel, astronomët kanë ndërtuar një pajisje që do të fotografojë universin e largët me rezolucion 3.2 gigapiksel.

Një gigapiksel është i barabartë me 1,000 megapiksel. Kamera do të instalohet në teleskopin e Observatorit Vera C. Rubin, i cili ka qenë duke u ndërtuar për rreth dy dekada dhe thuajse ka përfunduar.

Në fund të shtatorit, shkencëtarët dhe teknikët që punonin në një dhomë gjigante në Laboratorin Kombëtar të Përshpejtuesit SLAC në Menlo Park të Kalifornisë, përfunduan montimin e komponentëve mekanikë më sensitivë të kamerës dhe tani po kryejnë testet përfundimtare përpara instalimit.

“Në kombinimin e planit gjigant të fokusit të kamerës me një pasqyrë 7.6 metra që përdoret për të grumbulluar dritën, ne jemi të vetmit”, – thotë Aaron Roodman, astrofizikan në SLAC dhe zv.drejtor i Observatorit Rubin.

Ai theksoi se të dyja lentet, me gjatësi 1.67 metra, së bashku me kapakun e tyre të madh, si dhe rrafshin e fokusit, kanë hyrë në Librin e Rekordeve Botërore Guinness, për shkak të madhësisë së jashtëzakonshme. Inxhinierët do ta testojnë kamerën pas rreth dy muajsh dhe, në maj, ekipi do ta dërgojë atë në vendin e posaçëm për teleskopë të këtij lloji: në malet e shkretëtirës së pjesës veriore të Kilit.

Shkencëtarët do të kryejnë testet e para për imazhet e kapura nga teleskopi në gjysmën e dytë të vitit 2023 dhe ata synojnë debutimin zyrtar të Rubin-it, të quajtur “drita e parë”, në mars të vitit 2024.

Ky është momenti kur teleskopi do të nisë të mbledhë 20 terabajtë të dhëna çdo natë, për 10 vite me radhë. Nëpërmjet tij, shkencëtarët do të ndërtojnë një hartë të madhe të qiellit, ashtu siç duket ai nga Hemisfera Jugore, duke përfshirë 20 miliardë galaktika dhe 17 miliardë yje në Rrugën e Qumështit – një pjesë e rëndësishme e të gjitha galaktikave në univers dhe e të gjitha yjeve në galaktikën tonë, thotë Roodman.

Ata do të grumbullojnë edhe imazhe të 6 milionë asteroideve dhe objekteve të tjera në sistemin tonë diellor. Një bazë e tillë të dhënash kozmike ka qenë e paimagjinueshme deri kohët e fundit. Mënyra e funksionimit të teleskopit nuk është e njëjtë me atë që përdoret nga teleskopët hapësinorë Hubble ose James Webb, që zmadhojnë kuadrin për të kapur imazhe spektakolare të pjesëve të vogla të qiellit.

Në vend të kësaj, Rubin do të skanojë në mënyrë të përsëritur të gjithë qiellin jugor – rreth 18,000 gradë katrore – duke mbledhur të dhëna për çdo objekt të shikueshëm dhe duke fotografuar çdo zonë 825 herë, duke përdorur gjatësi të ndryshme të valëve optike. Rubin do të shkojë më thellë në kozmos dhe do të mund të kapë më shumë pjesë të tij se paraardhësit, si Sloan Digital Sky Survey dhe Dark Energy Survey.

 

 

Kamera do të fotografojë të gjitha pjesët e qiellit çdo tre ditë, dhe do të ofrojë fotografi që mund të përdoren së bashku për të ekzaminuar objekte të zbehta ose të largëta, ose për të dalluar objektet që ndryshojnë, si shpërthimet supernova dhe trajektoren që ndjekin asteroidet dhe kometat në afërsi të Tokës, të cilat lëvizin ngadalë në orbitat e tyre.

“Kjo është si të bësh një film 10-vjeçar me ngjyra”, thotë Risa Wechsler, astrofizikane në Universitetin e Stanfordit dhe anëtare e komitetit shkencor të këshillimit në Observatorin Rubin. Wechsler dhe kolegët e saj do t’i përdorin hartat e mëdha për të studiuar edhe zgjerimin e universit, për të analizuar strukturën dhe historinë e Rrugës së Qumështit, si dhe për të kuptuar përbërjen e fshehtë të grimcave të materies së errët, të cilat i mbajnë të gjitha galaktikat të lidhura me njëra-tjetrën. Megjithatë, dimensioni i tretë i hartave 3D të universit – pra, distanca nga Toka – do të jetë paksa i paqartë.

Por, studiuesit janë të përgatitur për këtë sfidë, thotë Wechsler. Ekipi i Rubin do t’i ndajë të dhënat me komunitetin shkencor – i cili përfshin rreth 10,000 përdorues – sapo imazhet të jenë përpunuar. Ata do të dërgojnë alarme gjatë natës për objektet që lëvizin ose ndryshojnë rrezatimin, në mënyrë që të tjerët të mund të gjurmojnë trajektoret e asteroideve në afërsi.

Teleskopi masiv, i financuar nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës në SHBA dhe Departamenti i Energjisë, mban emrin e astronomes Vera Rubin. Në vitet 1960 dhe 1970, ajo i përdori teleskopët në Arizona për të përcaktuar krahët spirale të yjeve në galaktikat e afërta.

Orbitat e shpejta të atyre yjeve, të cilat ishin shumë të shpejta nëse yjet ishin e vetmja gjë që ndodhej aty, zbuluan një dilemë: ose kishte materie të fshehur diku, ose graviteti funksionon ndryshe nga ajo që mendonin fizikanët, kur flitet për përmasat e gjera të një galaktike.

Ndonëse Rubinit nuk iu dha çmimi “Nobel” për zbulimin e saj, ai solli shumë kërkime lidhur me materien e errët. Fakti që Observatori Rubin u quajt kështu është i rëndësishëm, pasi ai është observatori i parë kombëtar që mban emrin e një gruaje. / Wired

You may also like