Kadilli: Basha dhe Berisha nuk i duhen më PD-së, koha të çmontojmë monopolin që ish-kryeministri instaloi në parti

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli ka komentuar situatën brenda selisë blu, ndërsa u shpreh se as kryedemokrati Lulzim Basha dhe as ish-kryeministri Sali Berisha nuk janë zgjidhja e duhur për drejtimin e PD.

Teksa dje ishte i ftuar në një studio televizive, zoti Kadilli shprehu bindjen se ka ardhur koha që Partia Demokratike duhet të çlirohet nga monopoli i kryetarit dhe se diçka të tillë nuk e ka sjellë Basha, por Berisha. Ndërsa kundër Bashës, Kadilli theksoi se ka kryer aktin më berishist me përjashtimin e Berishës.

“Në çdo moment që do ketë garë në PD, unë do paraqitem me platformën time. Sa u përket qëndrimeve politike, kam qenë i qartë dhe e përsëris. Nuk mendoj se Basha dhe Berisha janë zgjidhje të PD, askush prej tyre. Por nuk ia ndalojmë askujt të drejtën për të kandiduar. Më e mira e PD është të çmontohet monopoli i Partisë Demokratike. E keqja e PD nuk filloi me Bashën, autokracinë e nguli Berisha dhe pastaj solli Bashën. Akti më berishist i Bashës është heqja e Berishës. Është kthyer parti me sistem monarkik. Kur vdes monarku, partia zgjedh kryetar të ri”, deklaroi ai.

Më herët zoti Kadilli është shprehur se Basha dhe Berisha me luftën e tyre personale i kanë futur demokratët në një kurth dhe konkurrenca në këtë parti është e pabarabartë.

“Fokusi im ka qenë rikonstrukturimi i iniciativës demokratike, ka edhe persona që vinin nga degët e PD dhe po punojmë për të krijuar bërthamat e kësaj lëvizje. Por sot në PD ka një konkurrencë te pabarabartë. Janë Basha dhe Berisha, në mes të demokratëve dhe i kanë futur në mes të këtij kurthi. Të bindesh demokratët sot është e vështirë. Ne nuk kemi çfarë emocioni t’u japim demokratëve. Berisha dhe Basha nuk po u ofrojnë demokratëve, por vetëm po bëjnë zhurmë dhe sot janë të përqendruar në luftë personale”, nënvizoi Kadilli.

You may also like