Juvja në sulm për fitoren e dytë, Tiago Mota: Futemi për 3 pikë

by admin
Spread the love

Në prag të sfidës ndaj Lajpcigut që do të luhet sot në orën 21:00, trajneri Tiago Mota ka dhënë konferencën për shtyp ku këtë herë ka preferuar të mos e zbulojë formacionin, por të qëndrojë politikisht korrekt me mediat. Ai dha përshtypjet e tij për ndeshjen, të cilën e pret të bukur dhe kërkon tri pikët.

“Do të jetë një ndeshje e bukur dhe e hapur, kundër një skuadre konkurruese dhe që luan futboll të mirë. Ne do të luftojmë për të fituar. Duhet t’i vëmë në vështirësi”.

MBROJTJET- “Shifrat tregojnë se jemi dy skuadra me mbrojtje të mirë, por që nuk mbyllemi pas. Sot duhet të bëjmë një paraqitje të plotë dhe të mirë. Duhet të luajmë futboll të bukur dhe me kualitet, por sigurisht edhe të jemi të përqendruar në fazën difensive”.

FORMACIONI- “Të gjithë lojtarët janë të fortë dhe janë zgjidhje të vështira për mua. Kopmeiners dhe Kambiaso mund të bëjnë role të ndryshme. Lojtarët tanë kanë cilësi për të menaxhuar situata të ndryshme në fushë. Megjithatë, unë nuk do ta them formacionin si herën e fundit. Mund t’ju them që nuk kam dyshime dhe lojtarët e dinë se kush do të luajë ndaj Lajpcigut, por unë nuk do ta tregoj”.

NDESHJET NË CHAMPIONS- “Të gjitha ndeshjet janë të ndryshme, duke u bazuar edhe te kundërshtari. Vetëm një gjë është e sigurt, që ne nuk do të mbyllemi pas dhe të presim kundërshtarin. Do të kërkojmë gjithmonë që të kemi kontrollin e topit. Duhet të tregojmë që jemi kompaktë, të mbrojmë dhe të sulmojmë si skuadër”.

VLAHOVIÇ- “Ka qenë mirë që nga dita e parë, dhe si sulmues që është, goli ka rëndësi për të. Por kjo nuk është gjëja e vetme sepse sistemi ynë i lojës kërkon që të bësh shumë gjëra. Është një lider për grupin. Duhet të jetë i qetë dhe të përballojë ndeshjen ndaj Lajpcig. Ta ul në stol që mos jap pikë referimi? Ai nuk ka qenë kurrë statik në fushë. Ai bën lëvizjet e duhura për të ndihmuar skuadrën dhe shokët edhe kur nuk ka topin në këmbë. Futbolli është dinamik, dhe nesër përball Lajpcigut sigurisht që do të merren në konsideratë shumë situata”.

KONSEISAO – “Është gjithmonë i buzëqeshur dhe ka dëshirë për t’u stërvitur. U mërzit shumë kur u dëmtua, por është rikuperuar shpejt sepse do të qëndrojë me grupin dhe të punojë. Është një lojtar i rëndësishëm për ne, mund të luaj në të dyja krahët”.

Së bashku me Tiago Motën, në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes u paraqit edhe mbrojtësi Andrea Kambiaso i cili është i bindur se ka për të qenë një sfidë e bukur mes dy skuadrave. “Ata janë një skuadër e madhe dhe kanë lojtarë të mëdhenj, që vrapojnë, kanë “uri” dhe janë të kompletuar në të gjitha repartet. Ata luajnë si skuadër, por ne vijmë nga një moment i mirë dhe jam i sigurt që do të jetë një ndeshje e bukur”.

PËRMIRËSIMI- “Me Tiago Motën jam përmirësuar shumë dhe vazhdoj ta bëj këtë gjë. Megjithatë, duhet të jem më i përqendruar gjatë ndeshjes”.

CHAMPIONSI- Karakteristikat e kundërshtarëve janë të rëndësishme, por ne duhet të jemi Juventusi në të gjitha ndeshjet. Sigurisht që skuadra sillet ndryshe bazuar në karakteristikat e kundërshtarëve. Unë nuk e mendoja kurrë se do të luaja në Champions, por jam i lumtur dhe me fat që po e bëj. Kërkoj të jap maksimumin tim dhe të jetoj atmosferën që është e pabesueshme”, tha ndër të tjera mbrojtësi Andrea Kambiaso.

PANORAMASPORT.AL

You may also like