JAPONI – Kishida shkarkon ministrin e Drejtësisë pas deklaratave për dënimin me vdekje

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

TOKIO, 11 nëntor /ATSH-DPA/ – Ministri i Drejtësisë, Yasuhiro Hanashi u shkarkua sot nga kryeministri Fumio Kishida, pas deklaratave të tij, që u interpretuan gjerësisht si një shpërfillje e autoritetit për të miratuar ekzekutimet e të dënuarve me vdekje, sipas “The Japan Times”.

”Bëj një punë jo të lakmuar nga të tjerët… lajm për gazetarët përbën vetëm fakti nëse unë vulos një urdhër ekzekutimi”, citohet të ketë thënë Hanashi të mërkurën.

Kjo u pa gjerësisht në Japoni si një përçmim i rolit të tij në autorizimin e ekzekutimeve.

Vendimi erdhi tre javë pasi një tjetër ministër, Daishiro Yamagiwa, dha dorëheqjen për lidhjet e tij me Kishën e Unifikimit.

Vendimi mund të dëmtojë më tej pozitën politike të kryeministrit Fumio Kishida, në një kohë kur sondazhet e opinionit publik kanë treguar vlerësime të ulëta, gjë që mund të nxisë diskutimet brenda partisë së tij për të ardhmen e tij politike.

Hanashi kishte bërë deklarata të pakujdesshme për dënimin me vdekje.

Ai u detyrua të largohej një ditë pasi shprehu dëshirën për të qëndruar në postin e tij duke kërkuar falje për deklaratat e bëra të mërkurën në mbrëmje.

Hanashi është anëtari i dytë i kabinetit të kryeministrit Kishida, që jep dorëheqjen në më pak se tre javë.

Yamagiwa, i cili shërbyeu si ministër i Rimëkëmbjes Ekonomike, u detyrua të largohej më 24 tetor për shkak të lidhjeve të tij me Kishën e diskutueshme të Unifikimit.

Largimi i Hanashi, i cili është një anëtar i fraksionit të Partisë Liberaldemokratike të udhëhequr nga Kishida, shënon humbjen e një aleati kyç të kabinetit./ /a.i/

You may also like