“Jam numri 1 në botë, Rodri është i dyti”, rrëfehet Çalhanoglu: Shpresoj të fitoj sa më shumë trofe me zikaltrit

by admin
Spread the love

Hakan Çalhanoglu është njeriu i momentit në skuadrën e Interit. Mesfushori i transferuar nga Milani mes shumë polemikave është shndërruar në një lider edhe me pozicionin e ri përpara mbrojtjes. Nuk ngurron që ta konsiderojë veten si më të mirin në botë për momentin. “Muaj më parë kam thënë se jam një nga 5 mesfushorët organizatorë më të mirë në botë. Askush nuk më besoi. Por unë besoj në vetvete sepse i di kualitetet e mia dhe nuk kam frikë nga askush”, ka thënë ai për DAZN.

Tani do të bëjmë një klasifikim të 5 organizatorëve më të mirë në botë. Ne do të themi emrin dhe ju do na thoni renditjen. Ku e vendosni Toni Krosin?

Në vendin e tretë.

Po Enzo Fernandezin?

Në vendin e pestë.

Rodri?

Në vendin e dytë.

Po Kimish?

I katërti.

Po Çalhanoglunë?

Në vendin e parë.

Pse në këtë moment e ndjen veten si më të mirin në botë në atë pozicion?

Sepse golat dhe atë që bëj në fushën e lojës nuk i bëjnë dot të tjerët. Nëse shihni golat, unë nuk shënoj kurrë nga afër, por nga 25-30 metra ose me goditje dënimi. Janë gjëra të vështira. Dhe nëse shihni të tjerët, nuk bëjnë si unë. Pastaj të gjithë janë të zotët për qarkullim dhe menaxhim, por nuk më pëlqen të bëj vetëm pasime për 5 metra. Unë kërkoj gjithmonë pasimin e fundit për të rritur sa më shumë shanset që skuadra të shënojë. Ta pasoj majtas ose djathtas nuk më shërben.

Por gjithmonë ka vend për përmirësim?

Gjithmonë.

Në çfarë aspekti?

Tani kundërshtarët kërkojnë që të më markojnë këmba-këmbës, ashtu si në pjesën e parë ndaj Romës. Isha në vështirësi. Duhet të krijoj më shumë hapësira dhe të jem më inteligjent në situata të tilla. Por me Barelën dhe Mikitarianin që më ndihmojnë gjithmonë ia dolëm. Në fazën mbrojtëse jam përmirësuar, por ka ende shumë punë. I analizoj videot me stafin dhe komentojmë gjithmonë gabimet.

Sigurisht që duhet të përmirësoni edhe palmaresin e trofeve…

Patjetër që po. Ky është objektivi kryesor i çdo lojtari.

Çfarë do të thotë të fitosh titullin e yllit të dytë përpara Milanit?

Unë nuk e shoh fare këtë detaj. Secili sheh në shtëpinë e tij dhe ne jemi të fokusuar vetëm tek Interi. Të shohim çfarë do të ndodhë.

A mund të përsëris ky Inter ecurinë e jashtëzakonshme që pati në Champions-in e vitit të kaluar?

Ne luftojmë për gjithçka. Sigurisht që Interi ka objektiva dhe ne punojmë për t’i arritur ato.

Herën e parë që Inzagi tha se do t’ju vendoste përpara mbrojtjes çfarë menduat? Te Milani nuk shkoi mirë…

Te Milani nuk isha gati. Kur trajneri Inzagi e propozoi këtë isha gati. I thashë menjëherë po sepse doja të provoja veten. Kur ke një moshë të caktuar, ndryshimi i rolit të peshon më pak në të gjitha aspektet. Për ecurinë time në këto muaj ka qenë shumë e rëndësishme.

Çfarë mendove në pasimin që i dhe Dimarkos kundër Juventusit?

Unë i kërkoj gjithmonë këto lloj pasimesh në fushën e lojës. Nuk më pëlqen që të bëj pasime të thjeshta. Më pëlqen të vertikalizoj menjëherë, të luaj shpejt me lojtarët që sulmojnë thellësinë. Në atë rast pas Dimarkon që po vraponte përpara sesa unë të kisha topin dhe ata e dinë që unë e pasoj menjëherë. Por Turam nuk shënoi, sepse do të ishte një aksion shumë i bukur.

Çfarë të pëlqen më shumë, mënyra si e godet topin në fillim apo trajektorja që merr?

Varet nga situata, nga distanca, nga forca e topit. Duhet të vendosësh në pak sekonda, por varet gjithashtu edhe nga shokët e skuadrës se si lëvizin.

Duket sikur luani symbyllur me njëri-tjetrin?

Ne e dimë kualitetin që kemi në skuadër. Po aktivizohemi bashkë prej 3 sezonesh. Të tjerët i dinë cilësitë e mia dhe unë njoh të tyret. Kjo kuptohet shumë mirë në fushën e lojës.

Përveç pasimeve, ju keni dëshirë që të bëni edhe rrëshqitje për të rrëmbyer topin ndaj rivalit?

Po. Më pëlqen shumë dhe është më bukur nëse ia marr topin kundërshtarit. Më pëlqen të vrapoj dhe të punoj. Jam bërë i rëndësishëm në skuadër edhe për faktin që bëj sakrifica të mëdha. Më argëtojnë këto gjëra.

Nuk ke folur ende për penalltitë. Si i godet?

Është sekret.

Mendoni se flitet shumë pak për meritat e Inzagit?

Unë flas gjithmonë mirë. Ai më ka telefonuar për të qenë tek Interi pas Europianit dhe e falënderoj. Për më tepër më ndryshoi edhe rolin. Është një njeri që nuk flet shumë, por ka raport të ngrohtë dhe miqësor me lojtarët. Di mirë se si të sillet. Jemi rritur të gjithë bashkë.

Tani do të flasim pak për disa lojtarë që në të shkuarën kanë luajtur në rolin tuaj. E nisim me Veronin.

Lojtar i madh. Më pëlqente fakti që ishte i egër dhe donte gjithmonë të fitonte. Ishte i jashtëzakonshëm.

Buskets…

Lojtar i madh, por për të qenë i sinqertë janë të tjerë lojtarët që më pëlqejnë në atë rol. Teknikisht ishte shumë i fortë, di të menaxhojë lojën, por ishte pak i ngathët. Nuk më pëlqejnë lojtarët e ngathët.

Modriç…

I jashtëzakonshëm. Është një mik që e njoh mirë. Një shembull për mua dhe për atë që po bën në moshën e tij. Nga ai do të vidhja mentalitetin dhe profesionalizmin. Është një person shumë i mirë.

Xabi Alonso…

Nga ai më pëlqente shumë pasimi. Këmbë të edukuara dhe inteligjencë.

Pirlo…

Idhulli im. E njoh shumë mirë. Më pëlqen mënyra se si ai rrinte në fushë, qetësia që kishte. Nuk e ndjente fare stresin e ndeshjes. Numri një në botë. Menaxheri im më thoshte që më shihte si Pirlon, ndërsa unë i thosha se jam fantasist. Koha tregoi se ai kishte të drejtë. Por Pirlo është Pirlo. Ka fituar shumë dhe unë nuk mund të jem kurrë në nivelin e tij.

Është e vërtetë që keni marrë oferta nga Arabia por i refuzuat për të qëndruar tek Interi?

Po. Unë dua më të mirën për Interin. Kur erdha këtu, Auzilio dhe trajneri më kanë dhënë një dorë të madhe për t’u përmirësuar. Kjo është një familje e jashtëzakonshme. Pastaj erdha me parametra zero dhe në fund të fundit vendos gjithmonë klubi. Unë kam thënë se doja të qëndroja dhe ata vendosën. Tek Interi kam rilindur. Kam pasur një periudhë të vështirë, por e kalova. Jam rritur edhe si person këto. I përjetoj shumë momentet e vështira, por tifozët gjithashtu më kanë dhënë energji. Interi është diçka ndryshe, nuk mund të shpjegohet.

Nëse të them “Idolo neroblu” (Idhulli zikaltër)…

Hakan Calhanoglu (qesh).

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

You may also like