IZRAEL – Netanyahu kundërshton planin e armëpushimit të Hamasit

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 7 shkurt /ATSH-DPA/ – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka refuzuar propozimin për armëpushim nga organizata militante islamike palestineze Hamas.

“Kushtet e vendosura nga organizata islamike do të çonin në një tjetër masakër si ajo e 7 tetorit”, tha Netanyahu sot në mbrëmje në Jerusalem pas një takimi me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

“Pajtueshmëria me kërkesat e Hamasit do të ishte e barabartë me një katastrofë”, tha Netanyahu.

“Është e nevojshme të vazhdohet të ushtrohet presion ushtarak ndaj Hamasit për të liruar pengjet. Nuk ka alternativë për kolapsin e tyre ushtarak”, tha ai.

Kryeministri izraelit është i bindur se lufta e Gazës mund të fitohet në vetëm disa muaj.

“Hamasi po kërkon lirimin e më shumë se 1500 të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite në këmbim të lirimit të pengjeve të tjera”, sipas raporteve të medias.

“Izraeli nuk është angazhuar për asgjë”, theksoi Netanyahu.

Ai tha se duhet të ketë një proces negocimi përmes ndërmjetësve, duke shtuar se reagimi i Hamasit tregoi se kjo nuk është ende duke u zhvilluar.

Netanyahu akuzoi grupin terrorist për uzurpimin e 60% të ndihmave humanitare që derdhen aktualisht në Rripin e Gazës.

Informacioni nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Hamasi kërkon garanci nga Katari, SHBA-ja, Turqia dhe Rusia për zbatimin e marrëveshjes.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like