TEL AVIV, 28 korrik /ATSH-DPA/ – Mijëra izraelitë dolën përsëri në rrugët e Tel Avivit dje në mbrëmje, pasi procesi shumë përçarës për të dobësuar gjyqësorin u vu në lëvizje nga qeveria e djathtë e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Policia po përgatitej për një goditje më të ashpër ndaj demonstruesve, sipas raporteve të mediave.
Autoritetet thuhet se po mendonin të përdornin shkopinj gome, granata trullosëse dhe gaz lotsjellës.
Por, demonstruesit nuk u dekurajuan.
Organizatorët e lëvizjes njoftuan se do të “intensifikojnë luftën”, por u kërkuan pjesëmarrësve të mos përdorin dhunë.
Ligji, i cili hyri në fuqi të mërkurën pasi u miratua të hënën, është pjesë e një nisme legjislative më të madhe dhe jashtëzakonisht të diskutueshme nga qeveria e Netanyahut.
Ai i pengon gjyqtarët të kategorizojnë vendimet e marra nga qeveria ose ministra individualë si “të papërshtatshme”.
Ekspertët besojnë se kjo mund të çojë në emërime arbitrare në poste vendimtare, duke përfshirë prokurorin e përgjithshëm dhe shefin e policisë.
Kritikët argumentojnë se kjo përbën një kërcënim të rëndësishëm për ndarjen e pushteteve dhe demokracinë e Izraelit.
Reformat e kanë ndarë vendin prej muajsh, me dhjetëra mijëra që dalin për të protestuar çdo javë.
Opozita, ushtria dhe Dhoma e Avokatëve që përfaqësojnë mbi 70 000 avokatë, të gjithë e kanë kundërshtuar ashpër projektligjin që kur u miratua këtë javë./ a.jor.