IZRAEL – Kabineti diskuton marrëveshjen e armëpushimit në Gaza

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 25 dhjetor /ATSH-DPA/ – Kabineti i luftës i Izraelit do të diskutojë sot një propozim nga Egjipti për t’i dhënë fund luftës në Gaza, sipas gazetës “Jerusalem Post”.

Dje në mbrëmje, gazeta “Times of Israel”, raportoi se zyrtarët izraelitë kishin konfirmuar më parë se Egjipti kishte paraqitur një propozim të ri për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve të tjera izraelite në Rripin e Gazës.

Megjithatë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu theksoi dje se lufta do të vazhdojë derisa organizata islamike Hamas të jetë mposhtur plotësisht.

“Kjo është mënyra e vetme për të eliminuar Hamasin, për të kthyer të gjithë pengjet dhe për të siguruar që Rripi i Gazës të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin”, tha Netanyahu.

Kanali televiziv saudit “Asharq News” raportoi në të njëjtën ditë, duke cituar burime të informuara, se propozimi i Egjiptit parashikonte përfundimin e luftës në disa faza.

Në fazën e parë, synimi do të ishte zbatimi i një armëpushimi që zgjat të paktën dy javë. Gjatë kësaj kohe do të liroheshin 40 pengje. Në këmbim, Izraeli do të lironte 120 të burgosur palestinezë. Kjo do të pasohej nga një dialog palestinez nën kujdesin e Egjiptit.

Një fazë e tretë do të parashikonte më pas një armëpushim të plotë dhe një marrëveshje gjithëpërfshirëse për shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve.

Në hapin e fundit, Izraeli do të tërhiqte ushtrinë e tij dhe të gjithë personat e zhvendosur mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like