ITSHKSH: Veprat e reja të Institutit të Shkupit, prezantohen para vatranëve

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg




Bronks/Nju Jork, 23 shtator 2022 – Federata Panshqiptare VATRA në Nju Jork u bë të enjten epiqendra e “Javës Kulturore Shqiptare në SHBA”, e cila  mblodhi rreth vetes vatranët dhe mysafirë të tjerë që kishin ardhur për të ndjekur nga afër promovimin e tri veprave të reja të botuara nga ITShKSh: “Shkupi, vetë historia e Kosovës” me autorët Skender Asani, Mehmet Prishtina e Albert Ramaj, “Bisedime mbi -Historin bujqësore të Shqipnis-“ nga Eqrem bej Vlora; dhe “Propozime për drejtshkrimin” I-II.
Aktivitetin e hapi kryeredaktori i “Dielli”-t, Sokol Paja, kurse në emër të Federatës “Vatra”, mirëseardhjen mysafirëve nga Shkupi u uruan nënkryetari Pashko Camaj dhe sekretarja Nazo Veliu, duke i përgëzuar për punën me peshë të madhe shkencore dhe kombëtare.
Drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani, bëri një prezantim të thuktë të veprimtarisë hulumtuese-shkencore të Institutit, si dhe shtrirjen e saj me departmente të reja, në mesin e të cilëve bën pjesë edhe Departamenti për Mërgatën. Ai më tej u përqendrua në botimet e fundit, e veçanërisht te libri më i ri që flet për Shkupin në dokumentet italiane, ku nxirren në pah fakte të reja që flasin për rëndësinë e kësaj qendre historike shqiptare, jo vetëm se për Kosovën por edhe më gjerë.
Izmit Nura – zëvendësdrejtor i Agjencisë së Migracionit të Maqedonisë së Veriut, theksoi rolin e Vatrës dhe punën e Institutit në proceset me peshë kombëtare.
Edhe studiuesit Sevdail Demiri, Sefer Tahiri e Zeqirija Ibrahimi, folën për aspekte të ndryshme të punës shkencore të Institutit shqiptar të Shkupit, e në veçanti për botimet më të reja.
Në fund të aktivitetit, drejtori Asani i dhuroi Vatrës, një dhuratë simbolike: Boçe nga Bredhi i mbjellur nga dora e vetë Nënë Terezës në Shkup në vitin 1980.


You may also like