Ismet Munishin ankohet në referim, kjo është arsyeja

by admin
Spread the love

Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, e ka kritikuar referimin në Superligë për herë të dytë brenda ditës të dielën, por këtë herë duke u ankuar se skuadra e tij është dëmtuar.

Pasi pretendoi se Prishtina e mundi Drenicën falë ndihmës së gjyqtarëve, Munishi u ankua se skuadra e tij u dëmtua në barazimin me Dukagjinin të shtunën.

Kritikat e Munishit ndaj gjyqtarëve vijnë në prag të ndeshjes së skuadrës së tij kundër Prishtinës të dielën e ardhshme.

47-vjeçari i postoi dy video – nga penalltia e përsëritur e Ulpianës në fitoren e saj 3:2 ndaj Gjilanit në shtator dhe nga penalltia e humbur e Gerhard Prognit në barazimin e Gjilanit me 1:1 me Dukagjinin të shtunën – në llogarinë e vet në rrjetin social Facebook.

Munishi u ankua se VAR-i e përsëriti penalltinë e humbur të Marclei Santos, pasi një lojtar i Gjilanit ishte futur brenda zonës para kohës, i cili pas përsëritjes shënoi në fitoren e Ulpianës.

Si pas tij, edhe penalltia e humbur të shtunën nga Progni duhej përsëritur, pasi një lojtar i Dukagjinit ishte futur në zonë para se mesfushori veteran të gjuante nga pika e bardhë.

“Jemi shumë krenar si klub Sc Gjilani sepse do të mbahemi në mend se ne kete edicion vetem kunder nesh eshte perserit penalltia”, shkroi Munishi në përshkrimin e videove.  

Gjilani i zë vendin e tretë në tabelën e Superligës me 21 pikë nga 12 ndeshje, aq sa ka edhe Ballkani në vendin e dytë dhe një më pak se liderja dhe rivalja, Drita.

Në ndeshjen e ardhshme, skuadra e Munishit do të përballet me kampionen në fuqi, Prishtinën, të dielën në Gjilan.

You may also like