Islami i vërtetë i Muhamed bin Abdul Kerim Al-Issa dhe sulmet e fanatikëve

by admin
Spread the love
Dr. Arben Ramkaj

Nga Dr. Arben Ramkaj

Besimtarët myslimane po kalojnë këto ditë festën e madhe të Kurban Bajramit, një festë që në ritualin e saj përmban edhe Haxhin, një nga pesë shtyllat kryesore të besimit Islam. Por kjo festë nuk kaloi pa një debat publik në shoqëritë myslimane.

Shkaku ishte një dekret mbretëror i mbretit saudit Selman Bin Abdulaziz Al Saud, që urdhëroi që ligjëratën e Haxhit në ditën e madhe të qëndrimit në malin e Arafatit ta mbante pikërisht Muhamed bin Abdul Kerim Al-Issa. Pas këtij vendimi, në rrjetet sociale pati mijëra komente kundër, ku dominonte thirrja “Zbriteni Muhamed bin Abdul Kerim Al-Issa nga minberi i Haxhit!”.

Al-Issa e mbajti ligjëratën e tij, një ligjëratë burimore, frymëzuese dhe reformuese për besimtarët haxhi në Arabinë Saudite. Askush nuk guxoi ta zbriste nga minberi i tij apo nga vendi ku mbahet kjo ligjëratë publike. Ligjërata më e madhe publike që mund të mbaj një imam për rëndësinë dhe peshën e saj.

Pasi nënvizoi rëndësinë e doktrinës se pastë moneteiste doktrina bazë e besimit Islam, ai u bëri thirrje myslimanëve që të vazhdojnë të kryejnë vepra të mira dhe t’i trajtojnë mirë të tjerët, duke përfshirë edhe ata të besimeve të tjera, dhe distancohen nga veprimet që mund të shkaktojnë dis’harmoni, urrejtje dhe ndarje. “Dashuria dhe dhembshuria duhet të mbizotërojnë në marrëdhëniet tona”- tha Al-Issa.

Po kush është Muhamed bin Abdul Kerim Al-Issa? Ai është një dijetar i brezit të ri të dijetarëve sauditë, që drejton prej pak vitesh Lidhjen Botërore Myslimane, e cila është shndërruar në një referencë për vendet myslimane. Kjo organizatë ka promovuar dialogun ndër-fetar,dialogun ndërkukturor dhe ka luftuar pa kompromis grupimet fanatike dhe grupet me prirje ekstremiste të botës myslimane,veçanërisht në fokusin e saj janë të rinjtë.

Është pikërisht Lidhja Botërore Myslimane, dhe ky udhëheqës karizmatik, që është edhe anëtar i bordit drejtues të Dijetareve Myslimanë Sauditë, institucioni më i rëndësishëm i Fetva-s në botën myslimane, pas atij të Al-Azhar, që ka krijuar një antipati tek fanatikët e besimit mysliman sunit në botën myslimane.

Sulmet e egra ndaj tij, vijnë pikërisht për shkak të disa vizitave të ndërsjellta me komunitetet hebraike, vizitën në kampin nazist të përqendrimit në Aushvic, Poloni, apo edhe me komunitetet të tjera të krishtera, me vizitat reciproke në praktikimin e asaj që quhet njohje njerëzore.

Madje para disa vitesh, ai është takuar me drejtues të njohur të së djathtës ekstreme në Evropë, të njohur për diskursin e tyre islamofob dhe racist, si drejtuesen e Tubimit Kombëtar në Francë, Marine Le Pen. Takime, që i shërbejnë pikërisht mundësimit të njohjes së vërtetë të besimit të tjetrit, dhe largimit të paragjykimeve.

Janë pikërisht Muhamed bin Abdul Kerim Al-Issa, dhe grupi reformuar i dijetarëve të rinj sauditë, një brez që e kupton aktualitetin dhe botën ku jetojmë, ata që firmosën me mbretin saudit atë që quhet Traktati i Mekës, një dokument i jashtëzakonshëm i promovuar nga dhjetëra dhe qindra dijetarë të botës myslimane.

Pas Traktatit të Mekës erdhi edhe Marrëveshja e Vllazërisë Njerëzore, e cila u firmos nga imami i madh i Al-Azhar, si dhe nga Papa Françesku. Ajo ishte një marrëveshje universale e bashkëpunimit njerëzor midis myslimanëve dhe të krishterëve katolikë, diçka që nuk ishte parë më herët në histori.

Al-Issa ishte së fundmi organizator i Forumi Ndërfetar të Riadit në muajin maj, ku morën pjesë 100 udhëheqës fetarë dhe studiues. Në fjalën e tij ai tha se besimtarët e të gjitha feve kanë të drejtë të jetojnë me dinjitet dhe respekt. “Ne hedhim poshtë çdo interpretim të gabuar apo të qëllimshëm, që e minon bashkëjetesën ndërmjet ithtarëve të feve”- deklaroi ndër të tjera Al-Issa.

Ndërkohë, Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës dhe Romës së Re, Bartolomeu I, tha se feja ruan vlerat njerëzore, dhe se ne duhet të bashkëpunojmë dhe të zbatojmë atë që dimë për paqen. Janë pikërisht këto reforma, dhe këto diskutime sociale dhe shoqërore të botës myslimane, që kanë prodhuar edhe këtë debat midis fanatikëve dhe përfaqësuesve institucionale të botës myslimane.

Fanatizmi dhe konservatorizmi fetar, kanë prodhuar gjatë shekullit të kaluar, por edhe në vigjilje të këtij shekulli grupime të pafundme ekstremistësh që e bënë të domosdoshme këtë reformë teologjike për shoqëritë atje.

Nga fanatizmi sunit dhe shiit, kanë dalë grupime militante ekstremiste, të cilët konceptin për shtetin dhe shoqëritë, i ndërtojnë mbi baza tërësisht imagjinare. Dhe pas përfaqësimit të këtyre doktrinave, ato kanë prodhuar vetëm një dhunë të egër, brutale kundër shoqërive ku ata jetojnë.

Vlen të kujtojmë pak atë që ndodhi me Al Kaedën apo ISIS-in,apo lëvizjet e armatosura shiite që prodhuan konflikte të jashtëzakonshme gjatë viteve të fundit, ku përveç një njollosjeje të jashtëzakonshme të botës myslimane në raport me shoqëritë e tjera që i rrethojnë, sidomos asaj botës arabe, por në tërësi aty ky jetojnë myslimanët, shkaktuan vrasje të egra, brutale, që janë parë rrallëherë në histori, dhe që i bëjnë jehonë historisë së errët të Mesjetës.

Pra për këto arsye dhe arsye të tjera politike goditen intelektualë dhe dijetarë të tillë, siç është edhe dijetari i ri i botës myslimane Muhamed bin Abdul Kerim Al-Issa. Ky i fundit është shprehur prerë kundër grupimeve me ngjyrime politike qe në bazë të ligjerimit politik vendosin përdorimin e fesë dhe të shenjtës, duke thënë se kjo frymë nuk pasqyron vlerat e vërteta të besimit Islam.

Në fakt, Al-Issa nuk përfaqëson sot vetëm vetveten. Ai përfaqëson një brez të ri teologësh dhe intelektualesh të botës myslimane, që e shikojnë si një domosdoshmëri përfaqësimin, dialogun fetar brenda komuniteteve të tyre, çrrënjosjen e disa interpretimeve dhe Fetva-ve të vjetra të cilat janë thënë në kontekste të ndryshme historike e të cilat kanë prodhuar dhe prodhojnë konflikte sociale në shoqëritë ku ne jetojmë.

Janë pikërisht këta dijetarë të rinj që e kuptojnë botën moderne, i kuptojnë shoqëritë aktuale ku jetojnë, nevojat dhe domosdoshmëritë për të pasur një përfaqësim të natyrshëm, logjik, dhe që mbështeten realisht tek ajo që ishte gjenerata e parë, gjenerata më tolerante e shoqërisë, që ka qenë ajo profetike.

Mesazhet që ata përçojnë në çdo aktivitet, kontrastojnë dukshëm me ato të fanatikëve radikalë që vjellin vetëm vrer dhe denigrojnë të tjerët. Të tilla ishin edhe deklaratat skandaloze të imamit danez Mundhir Abdallah, që në ligjërimin e tij me rastin e Kurban Bajramit, kritikoi vendimin e mbretit saudit për të lejuar Al-Issa të mbajë predikimin kryesor të Haxhit.

Kjo sepse sipas tij, Al-Issa u lut në Aushvic për shpirtrat e hebrenjve të vrarë në “Holokaustin e supozuar”, dhe pretendimet se hebrenjtë dhe të krishterët janë “vëllezërit tanë”. Duke iu referuar sulmit më armë pak ditë më parë në një qendër tregtare në Kopenhagë nga një i sëmurë mendor, Abdallah, shkoi deri aty sa

të deklarojë se shumica e perëndimorëve janë të sëmurë mendorë.Të ngjashëm me fanatikët muslimanë janë dhe fanatikët e krishterë sulmet e fundit në SHBA e vërtetojnë këtë.

Ky klerik radikal u padit në gjykatë në korrikun e vitit 2018, pas thirrjeve për vrasjen e hebrenjve. Me të njëjtin diskurs, shumë myslimanë fanatikë dhe konservatorë, dhe një pjesë e tyre sharlatanë, ndërmarrin të njëjtat revanshe në Facebook, Instagram, Ëhatsapp, në grupet e besimtarëve të rinj, ku akuzojnë kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, apo edhe figura të tjera teologjike për herezi doktrinore dhe teologjike.

Përse? Vetëm sepse ata kryejnë disa vizita kortezie apo projekte të respektit të ndërsjelltë midis komuniteteve dhe bashkësive fetare në Shqipëri. Sigurisht, këta besimtarë fanatikë myslimanë shqiptarë nuk kanë thellësinë dhe dendësinë e dijeve dhe njohurive të asaj që ndodh në botën myslimane.

Ata janë praktikisht konsumatorë të disa Fetva-ve apo opinioneve teologjike të tjera, të cilat tashmë janë diskutuar, interpretuar nga brezi i ri i dijetarëve. Por mbi të gjitha me këto Fetva dhe këto opinione fetare, dhe pa pasur njohuritë e duhura shoqërore, pa pasur kapacitetin e duhur intelektual, dhe mbi të gjitha pa pasur përfaqësimin teologjik, mundohen t’i japin shenjtërinë e fesë akuzave dhe linçimeve të tyre publike.

Mbi bazën e kësaj, mendojnë se kanë edhe privilegjin të akuzojnë, të çnderojnë, të përdhosin figura fetare të kësaj shoqërie, që e shohin marrëdhënien njerzore një normë e natyrshme shoqërore si të vetmen zgjidhje për ruajtjen e identitetit Islam si dhe një vijimësi e natyrshme e trashëguar ndër shekuj të besimit Islam në Shqipëri por edhe në trojet shqiptare.

Unë falënderoj nga zemra dr.Muhamed bin Abdul Kerim Al-Issa, që me sakrificë dhe përkushtim, me sinqeritet, por patjetër edhe me një kosto sociale në shoqërinë ku ai jeton, bëri të mundur reformimin dhe ndryshimin e mendjes të miliona e miliona besimtarëve myslimanë kudo në botë.

You may also like