Ish-ministrat të shqetësuar me ikjen e mjekëve nga Kosova: Shëndetësia drejt kolapsit

by admin
Spread the love

Ministrat që kanë udhëhequr me dikasterin e shëndetësisë po shprehen të shqetësuar me ikjen e mjekëve nga vendi, raporton Ekonomia Online.

Ata thonë se ndër arsyet pse profesionistët shëndetësor po e shohin të
ardhmen e tyre jashtë vendit janë pasiguria e mirëqenies ekonomike dhe pagat e
ulëta në Kosovë.

Kjo ka bërë që shumë mjekë të orientohen drejt vendeve perëndimore për një
vend pune më të mirë.

Ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani në një intervistë për Ekonomia
Online tha se largimi i mjekëve nga Kosova është ndër problemet më të mëdha që
po ballafaqohet shëndetësia.

Ai përmend një varg faktorësh që kanë ndikuar në këtë fenomen, duke e quajtur
këtë si “tragjedi” në aspektin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore.

 “Largimi i mjekëve nga Kosova dhe
shkuarja në vende të tjera për të punuar dhe lënia e sistemit shëndetësor në
vend paraqet një prej problemeve më të mëdha në të cilat është duke u
ballafaquar shëndetësia dhe për fat të keq institucionet e vendit janë duke
nënçmuar këtë problem dhe nuk janë duke i dhënë rëndësinë e duhur. Arsyeja pse
po ndodh është se mjekët e rinj e kanë humbur perspektivë profesionale të tyre”.

“Pasiguria e mirëqenies ekonomike, pagat tejet të ulëta të gjitha kanë bërë
që profesionistët shëndetësor ta shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit që
paraqet tragjedi në aspektin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore për
popullatën sepse mungesat që do të vërehen në vend pas disa vjetëve janë të
jashtëzakonshme”, tha Agani.

Edhe ish-ministri Armend Zemaj e sheh mjaft shqetësuese largimin e mjekëve
nga Kosova, kjo për faktin se nuk ka mbështetje dhe përkrahje as nga Qeveria
dhe ministria e Shëndetësisë.

“Nuk po shohim asnjë lëvizje. Të paktën një lëvizje nga kjo qeveri në
ruajtjen e trurit ose në mbajtjen e profesionistëve shëndetësor në Kosovë. Dhe
kjo është shqetësuese mungesa e ligjit të pagave, e përkrahjes financiare dhe e
atyre të cilët meritojnë përkrahje. Dhe kjo është gjendja që është duke u
zhvilluar sidomos shqetësimi është për ikjen e mjekëve në vazhdimësi ose
largimi nga institucionet publike drejt institucioneve private shëndetësore”,
tha Zemaj.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online ka shtuar se Qeveria konkretisht
Ministria e Shëndetësisë është në gjumë të thellë dhe pasive.

Sipas Zemajt, gjendja ne spitale është mjaft shqetësuese sepse ka mungesë
nga lista e barnave esenciale.

Tutje, ai tha se listat e pritjes tashmë kanë kaluar çdo limit duke e quar
shëndetësinë drejt kolapsit.

 “Kapacitet e mjaftueshme i ka të
trashëguara nga puna e mirë që është bërë gjatë pandemisë. Por tash duhet
përgjegjësi, duhet aftësi për t’iu dalë zot problemeve që kanë qytetarët
sidomos në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Por këtë nuk po e shohim as nga
qeveria më së paku nga ministri dhe Ministria e Shëndetësisë”.

“… gjendja është ajo që paraqitet shumë reale ankesat e përditshme, mungesat e përditshme qoftë nga lista e barnave esenciale, që është listë e stërzgjatur e ofrimeve shëndetësore. Listat e pritjes tashmë kanë kaluar në ekstrem në pritje dhe problemet që shfaqen dhe që i keni parë qoftë në klinikën e onkologjisë dhe në klinika të tjera që tashmë kanë kaluar në nivel të kolapsit në shëndetësi”.

You may also like