Ish-kryediplomati kosovar: Si të ndalohet Serbia që të dalë jashtë kontrollit

by admin
Spread the love

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, e ka parë të domosdoshme marrëveshjen gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë si hap që, sipas tij, i paraprin njohjes së pesë shteteve mos-njohëse që janë anëtare të BE-së.

Ai këto komente i ka dhënë në një opinion për ‘think talk’-un ndërkombëtar ‘Atlantic Council’, teksa ka kërkuar nga SHBA-ja e BE-ja të tregojnë fuqinë diplomatike kundër Serbisë.

“Kosova nuk mund të pres njohje nga pesë vendet e BE-së që nuk e njohin shtetësinë e saj pa një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë. Spanja tashmë ka treguar se kjo do të zhbllokonte njohjen– e cila nga ana tjetër do të lejonte që Kosova të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe dhe të hapë rrugën për anëtarësimin e saj eventual në NATO (të cilën Uashingtoni po e mbështet). Sjellja e investimeve, turizmit dhe integrimi shumë i nevojshëm në Këshillin e Evropës, NATO dhe organe të tjera ku Rusia nuk ka të drejtën e vetos, varet nga ky normalizim”, thuhet në opinionin e ish-kryediplomatit kosovar.

“Ndërkohë, Serbia duhet të ndalojë veprimet e saj luftarake ndaj Kosovës. Peizazhi i saj mediatik, nën kontrollin e plotë të qeverisë në Beograd, ka përhapur gjuhë urrejtjeje kundër vendit tim për një kohë të gjatë. Nga ana e tyre, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara duhet të tregojnë më tepër fuqi për ta detyruar Serbinë që një herë e mirë të zgjedhë orientimin e saj gjeopolitik në vend që të përpiqet të luajë me të dy kartat. Ka disa indikacione se kjo tashmë ka filluar; por kërcimi mbi problemet më të mprehta në Ballkan nuk do të mjaftojë për të parandaluar krizën dhe gjakderdhjen”, vijon më tej Selimi.

“Brukseli dhe Uashingtoni duhet të ndryshojnë formulën e diplomacisë joefektive, të minutës së fundit për të zgjidhur krizat. Shpërblimi—paqja e qëndrueshme në Ballkan—është shumë më e madhe se kapitali politik, në mënyrë që të mbyllet përfundimisht ky kapitull i përçarë mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ai ka rikujtuar edhe deklaratën e Ndihmës Sekretares së Shtetit Amerikan për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, e cila përgjatë një vizite në Kosovë tha se status quo-ja mes dy shteteve shkon në dobi të Kremlinit.

You may also like